Lidhje

Propozohet një shtet i vetëm izraelito-palestinez

  • Cecily Hilleary

Pas takimit javën e kaluar me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanjahu, Presidenti Barak Obama shfaqi shpresa të reja për paqen në Lindjen e Mesme. Por disa analistë shqetësohen se procesi i paqes mund të mos rifillojë dot më, pasi ka qenë i bllokuar për një kohë tepër të gjatë. Analistët madje po i kushtojnë një ideje të vjetër një vemendje të re: zgjidhja nëpërmjet krijimit të një shteti.

Kjo ide i ka rrënjët në vitet 1920-të dhe 30-të, në periudhën kur zionistët hebrej bënin thirrje për kthimin në atdheun e tyre biblik për të krijuar një shtet izraelit. Por disa grupe hebraike shqetësoheshin se një hap i tillë mund të çonte në mosmarrëveshje në të ardhmen mes hebrenjve dhe arabëve. Ata shtruan argumentin për krijimin e një konfederate të vetme, që do të shtrihej nga lumi Jordan deri në Mesdhe.

Gjatë viteve të fundit, ndërsa procesi i paqes duket se ka ngecur, disa akademikë dhe analistë politikë kanë rigjallëruar thirrjet për krijimin e një shteti të vetëm. Ata propozojnë krijimin e një shteti që do të përfshinte Izraelin dhe territoret palestineze, duke u ofruar shtetësi të barabartë hebrenjve, të krishterëve, myslimanëve dhe të tjerëve. Më e rendësishmja është se kjo ide do të zgjidhte çështjen që propozimet për krijimin e dy shteteve nuk kanë qënë në gjendje të arrijnë: Do të bëjë të mundur kthimin e rreth 4,5 milion refugjatëve palestinezë që jetojnë tani jashtë Izraelit, Bregut Perëndimor dhe Gazës.

Ali Abunimah është autor i librit: Një propozim i guximshëm për t’i dhënë fund ngecjes Izraelito-Palestineze. Ai është edhe bashkë-themelues i faqes elektronike, Intifada Elektronike. Ai thotë se propozimi për një shtet të vetëm nuk është tepër larg realitetit në Izraelin e sotëm:

“Në atë zonë tani banojnë rreth 11 milion njerëz. Gjysma janë izraelitë hebrej dhe gjysma tjetër palestinezë. Gjithashtu ekzistojnë rreth një milion njerëz të tjerë që nuk do të futeshin në asnjërën kategori. Aktualisht atje ekziston një qeveri, që drejton vendin dhe kjo është qeveria e Izraelit. Problemi është se kjo qeveri administron dhe përfaqëson vetëm gjysmën e këtyre njerëzve.”

Zoti Abunimah mendon se ekzistojnë arsye të forta që Izraeli të shqyrtojë mundësinë e krijimit të një shteti. Izraeli, thotë ai, po përballet me izolimin në rritje nga komuniteti ndërkombëtar, përçarje fetare brënda vendit dhe kërcënime ndaj sigurisë së tij nga jashtë. Sipas tij, një shtet izraelito-palestinez do të ofronte paqe, siguri dhe dinjitet për të gjithë.

Dr. Husein Ibish është bashkëpunëtor shkencor në grupin e punës mbi Palestinën me seli në Uashington si dhe autor i librit: Pse është e gabuar ideja e krijimit të një shteti të vetëm. Ai thotë se nga një ide e tillë do të përfitonin vetëm palestinezët:

“Ata po përpiqen të zbrapsin ndikimet e luftës së vitit 1948 dhe të marrin përsëri vendin e tyre, siç e quajnë ata. Ky është një skenar ideal nga pikpamja palestineze dhe në fakt mendoj se do të ishte diçka pozitive po të arrihej. Por mendoj se problemi me këtë zgjidhje është se nuk u ofrohet asgjë izraelitëve hebrej.”

Dr. Husein Ibish thotë se kthimi i refugjatëve palestinezë do t’i shndërronte hebrenjtë e Izraelit në pakicë:

“Mbi të gjitha ky shtet nuk do të jetë Izrael. Izraeli është përcaktuar historikisht si një shtet hebre dhe demokrat. Izraeli nuk mund të jetë i tillë me okupimin. Për më tepër nuk mund të jetë një shtet demokratik, sepse nuk do të ketë një shumicë hebraike.”

Dr. Ibish beson gjithashtu se do të ishte e pamundur që kaq shumë fraksione të funksionojnë nën një njësi të vetme politike pa shtypje etnike ose sektare:

“Përkrahësit e një shteti të vetëm, si zoti Abunimah, thonë, 'Dua t’u tregoj izraelitëve se ata do të trajtohen si pakicë më mirë se sa u trajtuan palestinezët si pakicë. Këto fjalë nuk ngjallin shumë besim. Mjafton të shikojmë rajonin e Lindjes së Mesme, Irakun, Iranin, Turqinë, Libanin, Jordaninë, mjfatojmë të shohim se si trajtohen pakicat etnike dhe fetare në Lindjen e Mesme si dhe në shtetet arabe dhe jo-arabe, duke përfshirë edhe izraelitët. Nuk besoj që një shoqëri e arsyeshme ta pranonte vullnetarisht një status tillë.”

Pjesën e dytë të kësaj kronike mund ta ndiqni nesër në emisionin e mëngjesit në radio, nga ora 7:00 deri në orën 7:30.

XS
SM
MD
LG