Lidhje

Operacione anti-drogë në Qarkun e Shkodrës


Policia nisi në Qarkun e Shkodrës operacionet e para kundër kultivimit të bimëve narkotike. Kështu, gjatë një operacioni të zhvilluar në fshatin Vilë, në afërsi të Komanit, pranë banesës së një shtetasi, u zbuluan 1050 kubikë, të dyshuar si bimë të cannabis sativës. Gjithashtu, gjatë kontrollit në banesë u sekuestruan në cilësinë e provës materiale edhe një armë e modelit 63 dhe një krehër me dy fishekë.

Gjatë këtij operacioni policia arrestoi si të dyshuar Pal Peraj, 37 vjeç me banim në fshatin Grudë e Re në Shkodër dhe Lazër Lumin, 52 vjeç me banim në fshatin Vilë, Bashkia Vau Dejës. Të dy këta shtetas akuzohen për veprat penale: "Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit" dhe "Kultivimi i bimëve narkotike" në bashkëpunim. Këto janë edhe arrestimet e para për këtë vit të kultivuesve të bimëve narkotike në Qarkun e Shkodrës.

Gjatë vitit të kaluar, Qarku i Shkodrës qendroi në krye të zonave për sasitë e mëdha të kultivimit dhe trafikimit të bimëve narkotike. Në takimin sensibilizues kundër kultivimit të bimëve narkotike, zhvilluar në mesin e muajit të kaluar në Shkodër, zv. drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Altin Qato, deklaroi se Shkodra vazhdon të jetë një zonë mjaft problematike për kultivimin e bimëve narkotike. Sipas tij, Qarku i Shkodrës zë rreth 35% të totalit të bimëve narkotike të kultivuara në Shqipëri. Vetëm vitin e kaluar në këtë qark u identifikuan 1730 parcela dhe u asgjësuan 285468 bimë narkotike. Problem në këtë qark, sipas zotit Qato është niveli i ulët i zbulimit të bimëve narkotike nga ana e policisë.

XS
SM
MD
LG