Lidhje

Operacione falas për të varfrit


Operation walk

Operation walk

Njerëzit që vuajnë nga probleme të rënda të kockave dhe nyjeve përballen me dhimbje dhe kufizime të aftësive në çdo moment të jetës së tyre. Për disa prej tyre, zgjidhja e vetme është zëvendësimi i këllqeve ose i gjurit, një procedurë e shtrenjtë që shumë njerëz nuk mund ta përballojnë. Një organizatë me qendër në SHBA, e quajtur Operation Walk, është duke punuar për të shëruar njerëz në vende të ndryshme si Tanzania, Nepali apo Shtetet e Bashkuara, të cilët përndryshe nuk do të ishin në gjendje të përballonin shpenzimet.

Për Steven McKellar dhimbja nuk është diçka e panjohur.

"Kisha dhimbje të vazhdueshme, 24 orë në ditë, pa pushim."

Zoti McKellar vuante nga osteoartriti, një sëmundje e nyjeve. Ai kishte nevojë për zëvendësimin e të dy këllqeve, por nuk mund të përballonte shpenzimet, pasi nuk kishte sigurim shëndetësor.

"Në ato momente të vjen të dorëzohesh. Mbyllesh në vetvete, dhe je shumë i dëshpëruar."

Por organizata Operation Walk i ofroi një mundësi shpëtimi zotit McKellar: një operacion falas për zëvendësimin e këllqeve. Dhimbja që kishte duruar për një kohë të gjatë u zhduk, ashtu si edhe depresioni që e mundonte.

"Ai mund të qëndronte sërish në këmbë. Mund të qëndronte sërish drejt. Mund të shihja përsëri bashkëshortin tim të ecte normalisht dhe dalloja që edhe hija e stresit ishte larguar prej fytyrës së tij."

Lawrence Dorr, kirurg ortopedik në Los Angeles, kreu operacionin. Ai themeloi organizatën Operation Walk në vitin 1996. Ajo ofron gjithashtu operacione falas për të varfrit në vendet në zhvillim, si Nepali dhe Tanzania, ku njerëzit me sëmundje të kockave dhe nyjeve përballen edhe me përbuzje nga shoqëria.

"Nëse je i gjymtuar, je shpesh i përjashtuar. Nëse je grua, nuk mund të martohesh, ndërsa në qoftë se je burrë nuk mund të gjesh punë."

Organizata Operation Walk filloi aktivitetin në Tanzani në muajin qershor. Shumë pacientë atje kanë shpresa shumë të pakta për të përfituar kujdes të mirë mjekësor, thotë kirurgu nga Kenia i Operation Walk, Ammer Malik. Ai foli për Zërin e Amerikës përmes Skype-it.

"Ka shumë varfëri. Njerëzit ndahen nga një hendek i madh me mjekësinë private. Ndoshta 85 për qind e popullsisë nuk mund të përfitojë prej asaj mjekësie."

Disa pacientë në Tanzani kishin frikë të vendosnin një gju artificial, thotë Dr. Geoffrey Kibira i Qendrës Mjekësore Lutherane Arusha. Edhe ai foli për Zërin e Amerikës nëpërmjet Skype-it.

"Problemi ishte se shumica e tyre nuk mund ta kuptonin se mund të vendosen pjesë artificiale në në gju dhe të ecet përsëri. Por pasi panë disa prej pacientëve të përmirësoheshin dhe të ecnin sërish pa patur dhimbje, njerëzit kanë filluar të vijnë tek ne."

Dr. Dorr thotë se ai sheh ndryshim tek shumë prej mjekëve dhe infermierëve vullnetarë që ndihmojnë pacientët në vendet në zhvillim.

"Ata kuptojnë se mund të bëjnë gjëra që nuk e dinin se mund të bënin. Ata kuptojnë se mund të ndihmojnë njerëzit shumë më tepër nga sa mund të kishin menduar më parë, dhe kjo i ndryshon përgjithmonë."

Dr. Dorr thotë se për këta vullnetarë ky shërbim shndërrohet në një mision fisnik që i jep kuptim jetës së tyre.

XS
SM
MD
LG