Lidhje

Operacionet e fshehta mbi Iranin

  • Gari Thomas

Operacionet e fshehta mbi Iranin

Operacionet e fshehta mbi Iranin

Trysnia e Perëndimit mbi Iranin lidhur me programin e tij bërthamor vazhdon të rritet. Bashkimi Evropian ra dakort të vendosë embargo mbi naftën iraniane dhe të ngrijë kapitalet e bankës qendrore. Zyrtarët iranianë ritheksuan kërcënimin për të bllokuar Ngushticën strategjike të Hormuzit, përmes së cilës kalon një e pesta e furnizimeve me naftë në botë. Por siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Gary Thomas, Irani po ndjen gjithashtu presionin nga një fushatë në rritje e veprimeve të fshehta.

Një numër vrasjesh të njerëzve të lidhur me programin bërthamor të Iranit, një seri shpërthimesh të pashpjegueshme në ndërtesat ushtarake iraniane, dhe një virus shkatërrimtar kompjuterash janë shenja, thonë analistët, se fushata e veprimeve të fshehta kundër Iranit është intensifikuar.

Në rastin më të fundit, shkencëtari bërthamor iranian Mostafa Ahmadi Roshan u vra më 11 janar nga një bombë magnetike e vendosur në makinën e tij.

Reva Bhalla, analist për Lindjen e Mesme me firmën private të zbulimit Stratfor, thotë se politikanët vendosin për ndërmarrjen e veprimeve të fshehta si një rrugë e tretë mes diplomacisë dhe luftës.

"Ka ardhur koha kur politika e kthen vëmendjen tek operacionet e fshehta, ligjërisht të dyshimta, si një mënyrë për t’u përballur me situatën kur nuk ka mundësi më të mira. Kështu fushata e fshehtë është diçka që është planifikuar me vite dhe po shohim intensifikimin e saj pikërisht pasi Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre po shqetësohen gjithnjë e më shumë me Iranin dhe po kërkojnë mënyra për ta frenuar atë."

Tre shkencëtarë të tjerë bërthamorë iranianë janë vrarë gjatë dy viteve të fundit. Askush nuk ka marrë përgjegjësinë për vdekjen e tyre.

Por Irani ka fajësuar agjencitë e zbulimit të Shteteve të Bashkuara, Britanisë dhe Izraelit. Shtetet e Bashkuara mohojnë kategorikisht çdo përfshirje, ndërsa Britania nuk ka bërë komente.

Zyrtarët izraelitë mohojnë përfshirjen në vrasje, por një zëdhënës tha se, sipas fjalëve të tij, “nuk do të derdhte lot për këtë”.

Veprimet e fshehta kanë si synim të ndikojnë mbi ngjarjet me një dorë të fshehtë.

Zakonisht të ndërmarra nga agjencitë e zbulimit të një vendi, operacionet mund të variojnë nga përpjekja për të ndikuar nga jashtë mbi zgjedhjet tek sabotazhi dhe vrasja. Por këto janë të rrezikshme për shkak të mundësisë së ekspozimit tek publiku.

Will Tobey, një studiues në Universitetin e Harvardit, thotë se kushdo që po kryen vrasjet është i gatshëm ta marrë përsipër këtë rrezik.

"Do të thosha se kushdo që po kryen këtë fushatë vrasjesh kundër Iranit ka arritur qartësisht në përfundimin se çështja është shumë serioze dhe kërkon zgjidhje të dëshpëruara. Kjo mund të çojë në rrezik edhe më të madh në të ardhmen e afërt."

Pak analistë besojnë se veprimet e fshehta do të ndryshojnë qëndrimin e udhëheqësve të Iranit nga ambicjet bërthamore.

Por Irani ka qënë i përfshirë në lojrat e veta të spiunazhit.

Në fund të vitit të kaluar, Shtetet e Bashkuara njoftuan një komplot iranian për të vrarë ambasadorin saudit në Uashington, por shumë nga detajet janë të errëta.

Irani ka arrestuar periodikisht vizitorët dhe i ka akuzuar ata për spiunazh, shpesh për t’i përdorur për pazar në negociata.

Në fillim të muajit, Amir Hekmati, ish marins amerikan u dënua me vdekje nga një gjykatë iraniane nën akuza për spiunazh. Familja e tij dhe qeveria amerikane kanë mohuar akuzat për spiunazh.

XS
SM
MD
LG