Lidhje

Kosovë: Të dyshuarit për terrorizëm – para gjykatës


Në Prishtinë janë marrë në pyetje 40 personat e arrestuar të hënën nën dyshimet për përfshirje në luftimet në Siri dhe Irak. Të gjithë ata janë të dyshuar për vepra penale, ”organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist, nxitje të urrejtjes përçarëse ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik, rekrutim për terrorizëm, mbajtje në pronësi, kontroll, posedim apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve”.

Prokuroria e posaçme e Kosovës ka kërkuar që të gjithëve t’i shqiptohet masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Të gjitha ata u arrestuan në një operacion të policisë ditën e hënë, që cilësohet si më i madhi deri tash i drejtuar ndaj personave të dyshuar për përfshirje në veprimtari radikale. Operacioni që u zhvillua në shumë komuna të Kosovës sipas policisë pasoi vlerësimet për rrezikun dhe rëndësinë për sigurinë kombëtare, mbrojtjen e rendit kushtetues dhe ruajtjen e rendit dhe ligjit.

Armë, municione e mjete shpërthyese janë konfiskuar gjatë operacionit në të cilin ishin përfshirë qindra pjesëtarë të policisë e cila beson se të arrestuarit kanë marrë pjesë në luftimet në Siri dhe në Irak dhe njëherësh kanë vepruar përkrah organizatave të shpallura terroriste, siç janë, Al Nusra dhe Shteti Islami i Irakut dhe Levantit.

Operacioni i së hënës ishte me i madhi deri tash pas shqetësimeve në rritje për shtimin e numrit të qytetarëve të Kosovës që po u bashkohen militantëve në Siri e Irak. Askush nuk e di numrin e saktë të tyre, por shërbimet e zbulimit pohojnë se janë disa qindra shqiptarë nga Kosova, Maqedonia e Shqipëria që mund të jenë duke luftuar në radhët e militantëve në lindjen e Mesme. Deri tash besohet se të paktën 16 qytetarë të Kosovës kanë humbur jetën në ato luftëra.

Autoritetet thanë se operacioni do të vazhdojë dhe ai mund të përfshijë edhe nxitësit dhe rekrutuesit e mundshëm.

Operacioni i policisë u mirëprit nga institucionet vendase e ndërkombëtare si dhe nga Bashkësia Islame e Kosovës e cila bëri thirrje kundër atyre që përkrahin e nxisin gjuhë të urrejtës, interpretim të ngushtë të mësimeve fetare dhe politizim të besimit. Ajo u ka bërë thirrje qytetarëve që, siç thuhet, të mos bien pre e individëve të papërgjegjshëm e të pa adrese që manipulojnë besimin për qëllime johumane e jo fetare dhe në veçanti të rinjtë që të mos bien pre e grupeve të ndryshme që thirren në emër të të ashtuquajturit xhihad e njëfarë Halifati”.

Operacioni është mirëpritur edhe nga ambasadat e euro perëndimore të cilat u bënë thirrje institucioneve të Kosovës që të zgjerojnë mjetet ligjore në mënyrë që të luftohen sfidat e tilla të sigurisë.

Në pranverë, parlamenti i Kosovës miratoi në parim një projektligj që ndalon përfshirjen e qytetarëve të Kosovës në luftërat jashtë vendit, një punë e mbetur përgjysmë që pret fillimin e punës së parlamentit të ri tashmë të bllokuar nga një ngërç politik.

XS
SM
MD
LG