Lidhje

Operacionet anti-drogë në Shqipëri

  • Pëllumb Sulo
  • Raimond Kola

Policia ka ndërprerë për 24 orë operacionin antikanabis, të nisur pesë ditë më parë në komunat e largëta malore të Dukagjinit, në rrethin e Shkodrës, siç thanë, për t’ju përshtatur kushteve të terrenit të vështirë dhe tepër malor, menaxhimit më të mirë të forcave policore në terren si dhe dislokimit të tyre në një zonë tjetër të Dukagjinit, ku edhe po shvendoset kampingu i forcave policore.

Por duket se kjo do të shërbejë edhe për rifreskimin e forcave policore në terren, të cilat gjatë katër ditëve të para të operacionit kanë përballuar një volum të madh pune, në një terren shumë të vështirë malor, në lugina dhe përrenj të thellë, larg qendrave të banuara dhe rrugëve automobilistike e këmbësore, gjë që ka rritur mjaft shkallën e vështirësisë së operacionit në krahasim me atë të zhvilluar disa javë më parë në zonën e Lazaratit.

Policia njoftoi sot se operacioni antikanabis do të rifillojë nesër, në orët e para të mëngjesit dhe se ai do të përqendrohet kryesisht në fshatrat e komunave Shosh e Shalë.

Deri tani, forcat e policisë të shpërndara në terren kanë arritur të asgjësojnë, sipas policisë, rreth 87 mijë bimë narkotike të zbuluara në 175 parcela të vogla dhe pa pronarë, pjesa më e madhe e të cilave në fshatin Plan të Komunës Pult si dhe në Nicaj të Komunës Shosh.

Ndërkohë, mendohet se kjo është vetëm pjesa më e pakët e bimëve narkotike të kultivuara në zonën e Dukagjinit, pasi operacioni antikanabis ende nuk është shtrirë në pjesën më të madhe të zonës.Që në ditën e parë të tij, operacioni policor antikanabis ka ndeshur në kundërshtimin me armë të një grupi të vogël personash, banorë të zonës, të cilët gjatë dy ditëve të para qëlluan në drejtim të forcave policore, por pa i dëmtuar ato, ndërsa në ditën e tretë qëlluan edhe njërin prej tre helikopterëve të përfshirë në operacion.

Në një takim të zhvilluar sot në Tiranë me drejtues të policisë, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, duke vlerësuar punën e forcave të policisë në zonën e Dukagjinit, shprehu vendosmërinë për të vazhduar pa kompromis luftën kundër drogës dhe rrjeteve të saj kriminale:

"Jemi në pritje që, bashkë me Prokurorinë, të zgjerojmë hetimet për të shkuar deri te sekuestrimi i pasurive dhe aseteve kriminale. Pasurimi që kanë vendosur bosët e drogës nëpërmjet aktivitetit kriminal, bosët e kujtdo race, kudo ndodhen, sepse lufta kundër krimit nuk mund të fitohet deri në fund në qoftë se lejojmë që pasuritë kriminale të jenë dhe të vazhdojnë të jenë ushqim në vazhdim," tha ministri.

Në operacion policor antikanabis, të koduar si operacioni “Dukagjini”, janë angazhuar me alternime 294 forca policore, 20 automjete si dhe tre helikopterë të ushtrisë dhe forcave policore speciale RENEA.

Krahas asgjësimit të parcelave me bimë narkotike, policia ka shoqëruar për t'u pyetur në mjediset e Komisariatit të Policisë së Shkodrës edhe 29 banorë të zonës, duke ndaluar njërin prej tyre. Gjithashtu, është ushtruar kontroll në 9 banesa të zonës me qëllim kapjen e përsonave të kërkuar si dhe janë shpallur në kërkim policor 10 persona, të dyshuar si autorë të kundërshtimit me armë të veprimeve të policisë gjatë operacionit antikanabis.

Vazhdojnë operacionet dhe në Jug

Policia po i vijon operacionet kundër kultivuesve të lëndëve narkotike edhe në Jug të Shqipërisë. Operacionet po shtrihen në zonën malore të Tepelenës ku po zbulohen vatra të reja të mbjella me marijuanë.

Policia thotë se ka arrestuar gjatë ditëve të fundit disa persona , ka shkatërruar rreth 40 mijë bimë narkotike dhe po heton për disa autorë të tjerë të dyshuar si kultivues dhe transportues të lëndëve narkotike.

Zonat e Kurveleshit, të Salarisë, të Damësit dhe të Luginës së Bënçës njihen deri tani për kultivim të marijuanës ne siperfaqe te vogla.

Pas frenimit të kultivimit në Lazarat të Gjirokastrës, vlerësohet se transportuesit e narkotikëve po e zhvendosin interesimin në sipërfaqe të tjera të këtij Qarku.

XS
SM
MD
LG