Lidhje

Opinioni rus i ndarë për çështjen e grupit muzikor pank


Autoritetet kanë njoftuar se po kërkojnë për dy gra të tjera që morën pjesë në lutjen punk, 6 muaj më parë

Pamjet e maskave të shndritëshme të vajzave të grupit punk rus që protestuan me një lutje në një katedrale kundër Vladimir Putinit, kanë bërë xhiron e botës. Por si përjetohet në Rusi protesta e tyre dhe dënimi që iu dha gjykata? James Brook i Zërit të Amerikës pregatiti në Moskë materialin në vazhdim:

Videoja është shpërndarë anembanë botës, duke shfaqur përpara miliona shikuesve lutjen e grupit punk Pussy Riot kundër presidentit rus Vladimir Putin.
Në Rusi, rusët janë të ndarë në mendimin e tyre për grupin punk.
Nacionalistët konservatorë e mbështesin vendimin për dy vjet burg, i cili u dha të premten.

Këta njerëz janë nga Miloserdie, një organizatë bamirëse e rusëve ortodoksë.

“Më vjen keq por Krishtërim nuk do të thotë gjithmonë liri për të bërë çfarë të duash. Por mos u shqetësoni! Ne do t’iu çojmë ushqim atyre në qelitë e burgut”.
Liya Smirnova drejton një organizat të të rinjve ortodoksë rusë. Ajo shpreson se gjyqi dhe vendimi i tij do të mbajnë protestat politike larg kishave.

“Më kryesorja për ne, besimtarët e kishës ortodokse ruse, është që kjo lloj çmendurie mos të ndodhë në kishë përsëri”.

Yana është mbështetëse e grupit Pussy Riot. Ajo ka vendosur maskën e skive e cila është simboli me të cilin njihet grupi kudo në botë.

“Kam ardhur këtu të mbështes vajzat e grupit, jo vetëm sepse ato kanë qenë të burgosura gjithë këtë kohë, por sepse sistemi gjyqësor është i tmerrshëm. Unë e ndoqa ecurinë e gjyqit dhe ishte i tmerrshëm. Unë i mbështes ato si aktiviste dhe si artiste”.

Të hënën, policia shpërndau një grup njerëzish që kërcenin nën tingujt e muzikës së grupit Pussy Riot në qendër të Moskës. Autoritetet kanë njoftuar se po kërkojnë për dy gra të tjera që morën pjesë në lutjen punk, 6 muaj më parë.
Alla, një tjerë mbështetëse e grupit foli për Zërin e Amerikës të premten, pak minuta mbasi policia futi me forcë në një furgon, shoqëruesin e saj.

“Nuk ekziston ligji. Nuk ka ligj që të mbaj ato vajza në burg. Është e paligjshme, është e pamundur”.

Miliarderi rus Alexander Lebedev beson se gjyqi ndaj vajzave të grupit Pussy Riot dhe udhëheqësit të opozitës Alexei Navalny janë të urdhëruar nga Kremlini.

“Unë e kuptova papritur nga rasti i Navalnyt, i cili ishte plotësisht i fabrikuar, njësoj si rasti i vajzve, se kjo ishte me motive politike. Asgjë më tepër”.

Zoti Lebedev thotë se zgjidhja për Rusinë është demokracia.

“Duhet të funksionojnë pjesët e demokracisë që dihen tashmë: parlamenti, zgjedhjet, media e lirë, gjykata e pavarura, opozita si një autoritet i përhershëm dhe legal kushtetues në vend”.

Por ky rus nuk do të jetë për shumë kohë në këtë vend. Pak ditë më parë ai njoftoi se do të shesë investimet e tij në Rusi dhe do të vendoset në Londër.
XS
SM
MD
LG