Lidhje

Opozita egjiptiane nuk pranon koncesionet e ofruara nga qeveria


Opozita egjiptiane nuk pranon koncesionet e ofruara nga qeveria
Opozita egjiptiane nuk pranon koncesionet e ofruara nga qeveria

Mijëra aktivistë egjiptianë të opozitës dolën për të 14 ditë me rradhë në sheshin Tahrir të Kairos. Grupet e opozitës thanë se një takim i pashembullt me qeverinë nuk arriti të përmbushte një prej kërkesave të tyre kryesore: largimin e menjëhershëm të Presidentit Hosni Mubarak nga pushteti, që e ka mbajtur për gati 30 vjet.

Në Egjipt, Vëllazëria Muslimane dhe grupe të tjera të opozitës thanë se konsecionet e ofruara nga nën-presidenti, Omar Suleiman në bisedimet e djeshme nuk ishin të mjaftueshme, megjithatë përbënin hapin e parë në një dialog. Nuk u bë e qartë se kur do të takohen përsëri përfaqësuesit e qeverisë dhe të opozitës.

"Mendoj se Presidenti Mubarak duhet të heqë dorë nga kokfortësia e tij, jo para shtatorit, por ndoshta para fundit të javës. Vendi nuk mund të përballojë një raund tjetër prej mijëra protestuesish të martën dhe të premten".

Qeveria egjiptiane thotë se nën-presidenti ra dakord për ngritjen e një komisioni me figura juridike dhe politike për të studjuar reforma kushtetutore, të cilat do të lejonin më shumë kandidatë të marrin pjesë në zgjedhjet presidenciale. Sipas qeverisë, ky komision duhet të përfundojë studimin deri në javën e parë të marsit.

Qeveria ra dakord për këto bisedime pas protestave në mbarë vendin, që filluan muajin e kaluar kundër sundimit autoritar të zotit Mubarak.

Mijëra veprimtarë anti-qeveritarë marshuan sot për të 14-tën ditë në sheshin Tahrir në qendër të Kairos për të kërkuar largimin e tij nga pushteti, duke hedhur kështu poshtë thirrjet e qeverisë e të ushtrisë për t’u dhënë fund protestave.

"Ata që mendojnë se ne do të lodhemi nga qëndrimi në sheshin Tahrir, u themi se ne nuk do të largohemi. Mubaraku duhet të largohet nga Kairoja".

Shumë aktivistë e kaluan natën në shesh, i cili ka filluar t’i ngjajë një kampi tendash.

Zoti Mubarak u është përgjigjur protestave, duke u zotuar se nuk do të kandidojë për një mandat të gjashtë në zgjedhjet presidenciale të shtatorit. Nërkohë, qeveria ka thënë se as i biri i presidentit nuk do të kandidojë për këtë post.

XS
SM
MD
LG