Lidhje

Kosovë, opozita manifestim më 28 nëntor


Në Kosovë, partitë opozitare thanë se do të mbajnë një manifestim më 28 nëntor në Prishtinë për të kundërshtuar marrëveshjet e arritura me Serbinë dhe Malin e Zi.

Udhëheqësit e partive opozitare thanë se veprimet e tyre nuk do të ndalen deri sa qeveria e Kosovës nuk do të heqë dorë nga zbatimi i marrëveshjeve të arritura në bisedimet me Serbinë në fund të muajit gusht, me të cilat komunave me shumicë serbe u ofrohet një shkallë e gjerë autonomie si dhe marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Prej dy muajsh, partitë opozitare nuk kanë lejuar mbajtjen e seancave të parlamentit në të cilat u hodh gaz lotsjellës dhe të cilat u përshkuan me skena dhune për shkak të mospajtimeve.

Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës e kanë dënuar dhunën duke bërë thirrje që të hiqet dorë nga ajo dhe që të gjitha mosmarrëveshjet të zgjidhen me dialog.

Në përpjekje për tejkalimin e situatës në vend, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese të vlerësojë përputhshmërinë e Asocacionit të komunave me shumicë serbe me frymën e Kushtetutës së Kosovës.

Marrëveshjet me Serbinë që çuan në shtim të tensioneve politike në Kosovë, i siguruan Serbisë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Beogradi pret që brenda këtij viti të hapen kapitujt e parë të negociatave për anëtarësim. Kosova përfitoi ndërkaq Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, e cila u nënshkrua më 27 tetor.

XS
SM
MD
LG