Lidhje

Opozita në Kosovë braktis seancën e Parlamentit

  • Leonat Shehu
  • Prishtinë

Parlamenti i Kosovës ndërpreu sot punimet pasi opozita braktisi seancën e sotme në shenjë mospajtimi me propozimin e Partisë Demokratike në pushtet që të rishqyrtohet mocioni i miratuar një ditë më herët, për kushtëzimin e vazhdimit të bisedimeve me Serbinë me ndriçimin e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, tha se Parlamenti kishte votuar dy dokumente dhe për këtë arsye nevojitet një harmonizim i teksteve dhe miratimi i një dokumenti të vetëm. Propozimi i tij u hodh poshtë nga shefat e grupeve parlamentare të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe lëvizjes Vetëvendosje, Ismet Beqiri e Visar Ymeri.

“Ne i propozojmë seancës që të bëjë harmonizimin e këtyre dy dokumenteve që i kemi, pra dy parë rekomandimeve që njëra ka dal në emër të Komisionit dhe tjetra ka dal në emër të Hikmete Bajraktari. Prandaj, unë i lus të gjithë deputetët që të bëjnë harmonizimin dhe të dalin me një dokument të përbashkët me qëllim që t’iu mundësojmë institucioneve tona se si mund të veprojnë”, tha shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Adem Grabovci

“Mos të harrojmë se rekomandimet kanë qenë këtu në Kuvend qe dy javë, i kanë parë të gjithë dhe janë lexuar edhe në fillim edhe në fund. Nuk është problem i deputetëve të LDK-së që të tjerët nuk e kanë marr vesh se çka po votojnë. Ne nuk dëshirojmë të bëhemi pjesë e shkeljeve të procedurave nga institucioni më i lart i vendit. Ne nuk do të qëndrojmë në sallë dhe nuk do të përkrahim këtë mocion”, tha shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike, Ismet Beqiri.

“Edhe ne jemi absolutisht kundër kthimit të këtij mocioni prapë në votim në Kuvend, pasi që janë kryer të gjitha procedurat e rregullta për votimin e këtyre dy rekomandimeve”, tha shefi i grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri.

Në shenjë mospajtimi me kërkesën që çështja të futet në rendin e ditës, opozita braktisi punimet e Parlamentit dhe seanca u shty për javën tjetër.

Një ditë më parë Parlamenti miratoi një mocion, i cili në njërën nga pikat kërkon kushtëzimin e vazhdimit të bisedimeve me Beogradin me ndriçimin e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës. Mocioni pasoi interpelancën e shefes së delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë Edita Tahiri, lidhur me çështjen e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur që është shtruar edhe në bisedimet ndërmjet Kosovës e Serbisë. Zyrtarë të qeverisë thonë se janë duke bërë përpjekje për zgjidhjen e kësaj çështjeje, por sipas tyre problem mbetet qasja e Serbisë.
Kosova doli nga lufta me rreth 6 mijë të zhdukur ndërsa edhe 13 vjet më pas mbetet i paqartë fati i 1 mijë e 781 vetave, pjesa më e madhe e të cilëve të përkatësisë kombëtare shqiptare.
Që nga pranvera e vitit 2004 Prishtina dhe Beogradi kanë zhvilluar disa takime të ndërmjetësuara nga Komiteti Ndërkombëtarë i Kryqit të Kuq, për këtë çështje, por rezultatet janë ende të pakta. Grupet punuese të Kosovës dhe Serbisë, thonë se gjatë këtij viti do të zhvillohen kërkime në 36 vende të ndryshme ku mendohet se mund të ketë trupa të të zhdukurve.

XS
SM
MD
LG