Lidhje

Opozita në Turqi e vendosur të ndryshojë imazhin para zgjedhjeve

  • Dorian Xhons

Opozita në Turqi e vendosur të ndryshojë imazhin para zgjedhjeve

Opozita në Turqi e vendosur të ndryshojë imazhin para zgjedhjeve

Partia AK që është në pushtet në Turqi po përballet me një opozitë të ripërtëritur në zgjedhjet e përgjithshme të këtij muaji. Nën udhëheqjen e re, Partia Popullore Republikane CHP ka krijuar një imazh të ri politike. Duke lënë pas imazhin e të qënit një forcë politike e ngurtë që beson në një sistem të centralizuar, ku shteti të ketë rol kryesor, që i jep zgjidhje githshkaje, ajo po kërkon tani një identitet të ri si mbrojtëse e demokracisë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Dorian Xhons njofton nga Stambolli.

Të martën e kaluar, kreu i Partisë Popullore Republikane Kemal Kilixhdarollu u përshëndet me entuziazëm nga mijëra turq në Dijarbakir, qyteti më i madh në pjesën juglindore të Turqisë me shumicë kurde. Zoti Kilixhdarollu i shfrytëzoi këto takime për të theksuar imazhin e ri të partisë së tij.

Ne kemi ndryshuar, tha ai. Kjo është Partia e re Popullore Republikane. Ne po luftojmë për një Turqi më të lirë, një vend më demokratik dhe për paqe për të gjithë popullin e vendit tonë.

Fakti që zoti Kilixhdarollu po viziton rajonin kurd është ndryshim i thellë politik. Gjatë fushatës për zgjedhjet e fundit të përgjithshme, paraardhësi i tij Deniz Bajkal nuk shkeli në rajon dhe refuzoi madje edhe t’i përgjigjej thirrjes për më shumë të drejta për kurdët. Por nën udhëheqjen e zotit Kilixhdarollu, CHP-ja po trajton kërkesat kyçe të lëvizjes kurde në vend për arsim, autonomi më të gjerë dhe reforma elektorale.

Në një kafe kurde në Stamboll, fjalimi i tij ndiqet me vëmendje. Fjalimi i zotit Kilixhdarollu në Dijarbakir është mirëpritur nga ky banor. Për të, gjëja më e çuditshme ishte qendrimi i CHP-së ndaj çështjeve kurde. Ai thotë se ata janë më të mirë se partia në pushtet AKP. Tani, zoti Kilixhdarollu thotë se do t’i zgjidhë problemet e kurdëve. Ai thotë se shpreson se kjo do të ndodhë. Ai thotë se do të votojë për kandidatët e pavarur kurdë, por nëse do të kishte votë tjetër, atë do t’ia jepte CHP-së.

Shkencëtari politik Xhengix Aktar thotë se ai ka rezerva ndaj ndryshimeve në CHP, por megjithatë e konsideron këtë si një hap pozitiv.

"Hapat e parë janë të rëndësishëm. Brenda partisë ka ende zëra që janë kundër një zgjidhje moderne për konfliktin kurd. Pavarësisht nga kjo, ndërkohë që CHP-ja përpiqet të ndryshojë çështjen kurde, partia AK në pushtet po ndryshon në drejtimin e gabuar".

Për dekada me radhë, CHP-ja, e krijuar nga themeluesi i Republikës Turke Mustafa Kemal Ataturk, kishte reputacionin si partia-shtet. Por për të krijuar pamjen e saj demokratike, CHP-ja bëri të njohur fundjavën e kaluar një manifest të hollësishme për reforma demokratike, jo vetëm për kurdët por edhe për reforma në sistemin e drejtësisë.

Analisti politik për të përditshmen turke Milet, Semih Idiz, thotë se reforma të tilla mund të ndihmojnë në sigurimin e më shumë votave nga shoqëria turke.

"Ka shumë njerëz që kërkojnë një parti ku të gjejnë veten e tyre. Ata që anonin lehtazi nga e majta me prirje social demokrate nuk kishin kujt t’ia jepnin votën e tyre”.

Megjithatë partia ende po has në vështirësi për të lënë pas imazhin e vjetër. Vëzhguesit paralajmërojnë se zoti Kilixhdarollu ende ka një rrugë të vështirë për të bërë nëse do të fitojë ndaj kryeministrit të tanishëm që kryeson në anketa, veçanërisht në një periudhë rritje ekonomike të paparë në Turqi.

XS
SM
MD
LG