Lidhje

Opozita nuk shtyn tubimin e të premtes, vazhdon replikat me qeverinë për 21 janarin


Opozita nuk shtyn tubimin e të premtes, vazhdon replikat me qeverinë për 21 janarin

Opozita nuk shtyn tubimin e të premtes, vazhdon replikat me qeverinë për 21 janarin

Forcat kryesore politike në Tiranë po vazhdojnë debate të ashpra lidhur me përgjegjësitë respektive për ngjarjet e dhunshme të 21 janarit një ditë para tubimit tjetër të Partisë Socialiste. Qeveria anulloi tubimin e lajmëruar për ditën e shtunë, pas thirrjeve të njëpasnjëshme të diplomatëve amerikanë dhe diplomatëve të tjerë europianë për të shmangur provokime të mundshme. Kryeministri Sali Berisha tha se tubimi anullohej, duke siguruar se ai nuk kishte asnjë qëllim tjetër vecse të shfaqte ndjenjat paqësore dhe demokratike të popullit shqiptar.

Por kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi se partia e tij nuk do ta anullonte tubimin e ditës së premte, sepse ai ishte thirrur për të nderuar 3 të vrarët gjatë tubimit të 21 janarit. Zoti Rama i mbajti deklaratat për shtypin në fund të ditës pasi zhvilloi disa takime të gjata me ambasadorin amerikan, Aleksandër Arvizu dhe me delegacionin e Bashkimit Europian, duke zgjedhur të mos dëgjonte thirrjet e tyre për të shtyrë apo anulluar tubimin e ditës së premte.

Ambasadori amerikan Arvizu tha më pas në një tjetër konferencë shtypi se tërheqja e qeverisë nga ideja për një tubim ishte një vendim prej burri shteti nga ana e kryeministrit Berisha, gjë që nuk e arriti me zotin Rama, edhe pse sic tregoi ai, kishin biseduar rreth 100 minuta së bashku.

Një tjetër përpjekje ndërkombëtare ishte edhe delegacioni i Bashkimit Europian, që zhvilloi një seri takimesh me politikanët më të lartë shtetërorë. Përfaqësuesit e BE u takuan me presidentin Bamir Topi, kryeministrin Berisha dhe me kryetarin e partisë Socialiste Edi Rama, të cilëve u kërkuan të ndalin gjakderdhjen, të gjejnë përgjegjësit e ngjarjeve të dhunshme të 21 janarit dhe të nisin dialogun politik.

Presidenti Topi po ashtu u bëri thirrje partive politike që të pezullojnë përkohësisht cdo lloj demonstrate, për të ndihmuar në uljen e tensioneve dhe zhvillimin e hetimeve të pavarura dhe profesionale. Presidenti Topi u kërkoi partive politike që të rinisin dialogun politik dhe të gjejnë kompromisin brenda institucioneve. Zoti Topi u kujtoi partive se zgjedhjet vendore po afrohen dhe se është detyrim i tyre që të sigurojnë një klimë të qetë për zhvillimin normal dhe administrim korrekt të rezultateve të tyre. Presidenti Topi deklaroi se qytetarëve shqiptarë u duhet krijuar mundësia që të votojnë të lirë, të pacënuar dhe të pamanipuluar nga askush, në mënyrë që Shqipëria të integrohet në BE.

XS
SM
MD
LG