Lidhje

Opozita mund të bojkotojë parlamentin

  • Armand Mero

Në Shqipëri partitë e djathta pritet të vendosin për qëndrimin e tyre. Mediu: “Nuk do të pranojmë të jemi pjesë e një parlamenti që nuk do të funksionojë sipas rregullit dhe ligjit”

Në Shqipëri opozita pritet të vendosë pas dy ditësh qëndrimin e saj ndaj parlamentit, pas shkeljeve sipas saj të panumërta të rregullores dhe kushtetutës nga ana e shumicës së majtë. Drejtuesit e partive opozitare u mblodhën sot për të diskutuar rreth aksionit të përbashkët, ndërsa theksuan se nuk mund të vazhdojnë të jenë pjesë e një parlamenti që funksionon në shkelje të ligjeve.



Opozita mund të përshkallëzojë aksionin e saj kundër qeverisë dhe shumicës së majtë, pas disa javësh tensioni politik mes palëve. Opsioni i një bojkoti, i paralajmëruar disa herë, duket se është një zgjedhje e mundshme. Në selinë e partisë demokratike drejtuesit e forcave politike opozitare nën drejtimin e kryetarit demokrat Lulzim Basha, u mblodhën sot për të përcaktuar një qëndrim të përbashkët

“Po koordinojmë me aleatët aksionin tonë opozitar përsa i përket shkeljes së paprecedent të kushtetutës, ligjit, rregullores pra sjelljes antiligj e antikushtetues të kësaj shumice e cila rekordit të zi si bllokuese të statusit po i vë një tjetër rekord si dirigjente e rrezikimit të aspiratës europiane”, deklaroi zoti Basha.

Nga ana e tij kryetari republikan Fatmir Mediu u shpreh se një vendim pritet të ketë ditën e enjte: “Do të vendosim të gjithë së bashku se kush do të jetë veprimi, brenda parlamentit, jashtë parlamentit, por ajo që nuk do të pranojmë është që të vazhdojmë të jemi pjesë e një parlamenti që nuk do të funksionojë sipas rregullit dhe ligjit”.

Marrëdhëniet mes palëve kanë kohë që janë të acaruara. Vendimi i shumicës, javën e shkuar, për zëvendësimin e Inspektores së verifikimit të pasurive Zana Xhuka, vetëm sa i ka hedhur benzinë zjarrit.Ministri për marrëdhëniet me parlamentin Ilirjan Celibashi tha sot se largimi i opozitës nga parlamenti nuk është i dëshirueshëm: “Qëndrimi bojkotues ndaj veprimtarisë së parlamentit nuk është një zgjidhje as e dëshiruar as dobiprurëse. Megjithatë është vendim i tyre”.

Shumica vendosi sot të shtyjë diskutimet për ndryshimet në ligjin për Nëpunësin Civil, të propozuara pas rrëzimit të aktit normativ të qeverisë nga ana e gjykatës kushtetuese. Kjo cështje është një tjetër pikë debatesh të forta dhe ndarjeje të thellë mes palëve.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG