Lidhje

Opozita drejt rikthimit në parlament

  • Armand Mero

Ndërmjetësuesi i parlamentit europian Knut Fleckenstein tha sot pas bisedimeve në Tiranë me udhëheqësit politikë shqiptarë se “jam shumë optimist se javën e ardhshme do të gjejmë mënyrën që të gjithë të jenë në parlament”

Në Shqipëri zëvendës presidenti i grupit të së majtës në parlamentin europian, Knut Fleckenstein, u shpreh sot optimist për rikthimin në parlament javën e ardhshme të opozitës shqiptare. Ai i bëri këto komente në përfundim të takimit me kreun e opozitës Lulzim Basha. Gjatë mbrëmjes së djeshme zoti Fleckenstein u takua me kryetarin e parlamentit Ilir Meta dhe me kryeministrin Edi Rama.

“Pata bisedime të mira me kryetarin e parlamentit, kryeministrin dhe zotin Basha dhe jam shumë optimist se javën e ardhshme do të gjejmë mënyrën që të gjithë të jenë në parlament. Unë vërtetë shpresoj se opozita do të shkojë në parlament dhe jam shumë optimist”, nënvizoi në një deklaratë të shkurtër zoti Fleckenstein, i cili është dhe relatori për Shqipërinë në parlamentin europian.

Eurodeputeti Fleckenstein është mandatuar nga e majta në parlamentin europian për të ndërmjetësuar mes palëve në Shqipëri. Misioni i tij do të pasohet të dielën, nga ai i eurodeputetit Eduard Kukan, i mandatuar nga grupimi i së djathtës në parlamentin europian. Zoti Kukan është një njohës i mirë i realitetit politik shqiptar. Për disa vite me radhë ai ka qenë drejtues i delegacionit të parlamentit europian për Shqipërinë.

Pas takimit me zotin Fleckenstein, kryetari i opozitës deklaroi se “dëshira jonë ka qenë të jemi në një parlament ku nuk dhunohet kushtetuta”. Ai nuk u shpreh nëse deputetët demokratë do të jenë javën e ardhshme në parlament. “Procesi që ka nisur është një proces komunikimi dhe mendoj se ja vlen rezultati që presim, një parlament mirëfunksional, ku flitet për interesat e qytetarëve, ku zbatohet kushtetuta dhe ku fjalë e lirë respektohet”, tha zoti Basha duke shtuar se “është vullneti politik i mbrapsht që e solli këtu situatën. Shpresoj që vullneti i mbarë politik të cojë në zgjidhje”.

Ndërsa nga kryeministri Edi Rama nuk pati njoftim mbi takimin e mbrëmshëm me zotin Fleckenstein, kryetari i parlamentit Ilir Meta nga ana e tij deklaroi se “ne kemi qenë dhe jemi të hapur për çdo dialog apo qoftë edhe marrëveshje që bazohet edhe mbi parime demokratike edhe në respekt të parimeve kushtetuese që ndihmon në funksionimin më të mirë të Kuvendit të Shqipërisë dhe në krijimin e hapësirave të nevojshme për opozitën”.

Misioni ndërmjetësues i dy eurodeputetëve u paralajmërua dy ditë më parë përmes një deklarate të përbashkët. “Mesazhi i europarlamentarëve do të jetë i njejtë: të inkurajojnë opozitën të rikthehet ne parlament, përmes rivendosjes së dialogut politik dhe pjesmarrjes në punimet parlamentare” e nga ana tjetër “të inkurajojnë të gjithë partitë politike të angazhohen në një proces që çon drejt dekriminalizimit të Parlamentit dhe institucioneve të tjera publike”, saktëson deklarata.

Ende nuk dihet se cfarë është rënë dakort për këtë proces. Mbrëmë zoti Meta tha se “ne kemi qenë dhe mbetemi të hapur për çdo iniciativë që do të propozohej nga opozita e cila ka ngritur këtë pretendim disa herë edhe në drejtim të një kontrolli më të mirë të figurës së parlamentarëve dhe të gjithë përfaqësuesve publikë sot edhe në të ardhme. Por një propozim apo një draft i tillë ende nuk mund të konfirmohet nga askush”.

Ndoshta për këtë pikë do të mund të mësohet në momentin përfundimtar, pasi të ketë mbyllur misionin e tij të dielën dhe të hënën në Tiranë, edhe eurodeputeti Kukan.

XS
SM
MD
LG