Lidhje

Rusia frikëson opozitën përpara protestës së të shtunës


Protestat në Moskë më 2 prill
Protestat në Moskë më 2 prill

Një lëvizje opozitare ruse e themeluar nga kritiku në mërgim dhe oligarku rus Mikhail Khodorkovsky, ka planifikuar protesta të reja këtë fundjavë kundër Presidentit Vladimir Putin, në 32 qytete të vendit. Kjo pavarësisht nga fakti se autoritetet e kanë shpallur të paligjshme lëvizjen si dhe kanë bastisur zyrat e saj në Moskë.

Zëdhënësja e lëvizjes “Rusia e Hapur”, Maria Galitskaya, tha se do të veprohet sikurse është planifikuar.

"Ne këmbëngulim që nuk po e shkelim ligjin, meqënëse nuk zhvillojmë as një takim apo demostrim", tha ajo. "Do të çojmë letra në zyrën e presidentit, meqë dikush nuk na dëgjon, kur e bëjmë këtë individualisht."

Protestat e planifikuara të zhvillohen të shtunën pasdite përfshijnë dorëzim letrash drejtuar Presidentit Vladimir Putin, ku ankohen rreth situatës në Rusi.

"Është e vështirë të parashikohet se çfarë do të ndodhë. Shpresojmë që do të paraqesim letrat dhe të largohemi në heshtje. Nuk planifikojmë asnjë shkelje të ligjit nga ana jonë ", tha zonja Galitskaja.

Autoritetet ruse jo vetëm e kanë paralajmëruar lëvizjen “Rusia e Hapur” të mos kryejë ndonjë aktivitet, por e kanë futur atë në listën e zezë.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Rusisë deklaroi të mërkurën shpalljen si organizata "të padëshirueshme" të “Rusisë së Hapur” dhe dy organizatave të tjera të themeluara nga zoti Khodorkovsky.

Emërtimi i tyre si organizara "të padëshirueshme" i ndalon të veprojnë brenda Rusisë dhe çdo shkelje do të ndëshkohej me gjoba dhe burg.

Zonja Galitskaya foli të premten për “Zërin e Amerikës”, një ditë pasi policia bastisi zyrën e grupit në Moskë.

"Nisën të thyejnë dyert e dhomave, tavolinat edhe pse nuk kishte asgjë të paligjshme në zyrë. Është e vështirë të flitet për arsyet e vërteta të këtij veprimi, por ne e lidhim me atë që pritet të ndodhë të shtunën dhe mendojmë se kjo është një përpjekje për friksim", i tha Maria Galitskaya “Zërit të Amerikës”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG