Lidhje

Opozita siriane e ndarë lidhur me metodat për përmbysjen e regjimit


Opozita siriane e ndarë lidhur me metodat për përmbysjen e regjimit
Opozita siriane e ndarë lidhur me metodat për përmbysjen e regjimit

Opozita siriane ka ndërmarrë një formë të re mosbindjeje civile me një grevë të përgjithshme, ndërsa qëndresa e armatosur përshkallëzohet. Taktikat që bien ndesh me njëra-tjetrat vënë në dukje një përcarje së cilës i është bërë jehonë edhe në sinjalet e paqarta të komunitetit ndërkombëtar.

Pronarët e dyqaneve që janë kundër qeverisë siriane vazhdojnë t’i mbajnë të mbyllura bizneset e tyre, pavarësisht nga njoftimet se forcat e sigurisë janë hakmarrë ndaj disa prej tyre, duke u djegur dyqanet.

Greva e përgjithshme që filloi të dielën, e zgjeron fushatën e qëndresës paqësore ndaj qeverisë së Presidentit Bashar al-Assad, e cila për pjesën më të madhe të nëntë muajve të fundit është kufizuar në dëmonstrata dhe marshime proteste.

Por greva përkon me një intensifikim të betejës së armatosur kundër regjimit të Assadit. Të dyja palët janë në një mendje për atë që ata mendojnë se është rënia e pashmangshme e qeverisë.

Por përcarja krijohet kur është fjala për mjetet që duhen përdorur për të arritur këtë synim. Videot amatore kanë treguar beteja në rajonin e Daras, përgjatë kufirit me Irakun ndërsa forcat e opozitës njoftojnë për përleshje përgjatë kufirit me Jordaninë. Dëshmitarët thonë se janë ndër luftimët më të ashpra mes dezertorëvë të ushtrisë dhe trupave qeveritare.

Por disa ekspertë mendojnë se përpjekjet e armatosura deri tani kanë kufizimet e veta. Dr. Abdulaziz Sager, kreu i Qendrës së Studimeve të Gjirit në Xhedah thotë se kjo përpjekje nuk ka arritur ende në pikën kulmore.

“Për të arritur në pikën e luftës civile duhet një dezertim në masë nga ushtria dhe oficerët e rangut të lartë që të bëhen pjesë e saj. Deri tani nuk e kemi këtë numër të madh dezertimesh nga ushtria. Së dyti, armët që kanë janë të llojit të lehtë, si Kallashnikovët me të cilat nuk mund të luftosh kundër tankeve dhe lëvizjeve masive ushtarake”.

Shpërbërja e qeverisë me një luftë e armatosur duket e pamundur në të ardhmen e afërt, por as greva e përgjithshme nuk duket se mund ta arrijë këtë synim.

Fqinjët e Sirisë, Libani dhe Iraku kanë treguar mbështetje për qeverinë e Assadit dhe aftësinë për të qarkulluar mallra në kufi e bën presionin ekonomik, si nga brenda me greva, ashtu edhe nga jashtë me sanksione, më të dobët.

Por kufijtë jo shumë të kontrolluar mund të jenë të favorshëm për opozitën e armatosur. Luftimet e intensifikuara ditët e fundit dhe më parë pranë bazës së dezertorëve në Turqi dhe në rrethinat e Damaskut, të bën të mendosh se në vend po futen disa armë më të rënda.

Mospërputhja mes retorikës dhe veprimeve mund të shihet në reagimin e Lidhjes Arabe e cila muajin e kaluar I dënoi me forcë veprimet e qeverisë siriane dhe bëri thirrje që vrasjet të ndaleshin menjëherë. Tani një muaj më pas, po përpiqet me negociata diplomatike me Sirinë që të lejojë vëzhgues në vend.

Lidhja pritet të mblidhet në fund të kësaj jave për të diskutuar përsëri këtë cështje. Khattar Abou Diab, një profesor I shkencave politike ne Universitetin e Parisit thotë se organizata druhet të veprojë me nxitim.

“Vendosja e sanksioneve kundër Sirisë do të dëmtonte interest ekonomike të anëtarëve të Lidhjes. Po ashtu anëtarët e saj janë të frikësuar nga qeveria e zotit Assad dhe mundësia e përhapjes së konflikteve sektare në rajon”.

Megjithë përcarjet e shumta në lëvizjen kundër Assadit, shumë analistë politikë besojnë se pika kulmore në këtë betejë është arritur dhe se me kalimin e kohës opozita do të fitojë.

Ata argumentojnë se qeveria e zotit Assad nuk mund t’I rezistojë revoltës së vazhdueshme civile dhe të armatosur përgjithmonë. Ndërkohë, zyrtarët sirianë vazhduan të veprojnë sikur nuk ka ndodhur asgjë, duke mbajtur zgjedhje lokale të hënën, ndërsa forcat e sigurisë vazhdonintë shtypnin protestat.

XS
SM
MD
LG