Lidhje

Opra feston hapjen e rrjetit të saj të ri televiziv OWN

  • Zëri Amerikës

Opra feston hapjen e rrjetit të saj të ri televiziv OWN

Opra feston hapjen e rrjetit të saj të ri televiziv OWN

Opra Uinfri festoi në Pasadena të Kalifornisë hapjen e rrjetit të saj të ri televiziv OWN. Miliona njerëz ndryshuan kanalin më 1 janar për të parë se çfarë do të ofronte rrjeti i ri i Opras. Pavarësisht nga vlerësimet që jepen deri tani për rrjetin, Opra thotë se ajo nuk do të dekurajohet nga synimi që i ka vënë vetes me hapjen e rrjetit të ri OWN.

Drejtuesja e njohur amerikane e shfaqjeve televizive Oprah Uinfri festoi hapjen e rrjetit të saj të ri në Shoqatën e Kritikëve të Televizionit.

Mbrëmja festive e organizuar nga Opra u zhvillua në ambientet e hotelit luksoz Langam në Pasadena. Prezantuesja e njohur, e cila tani është 56 vjeçe, u shpalli gazetarëve synimin e saj për rrjetin e ri OWN.

“Ëndrra ime është që kanali i ri televiziv të shërbejë për ata që duan të japin maksimumin e tyre.”

Opra, e cila u ngrit nga varfëria dhe u bë e pasur, thotë se shpreson që kanali i saj të bëhet stacioni i preferuar për njerëzit nga i cili ata marrin energji pozitive. Të jetë interesant dhe stimulues.

Mikja dhe kolegia më e ngushtë e Uinfrit, Gajl King, komentoi gjithashtu mbi misionin që e nxiti Opran të krijonte rrjetin OWN.

“Synimet e saj kanë qenë gjithmonë të qarta. Fjalët “jeto jetën më të mirë që mundesh” nuk janë boshe për të. Opra nuk ka nevojë për punë apo para. Ajo është e motivuar nga dëshira e saj, sepse e di se ne të gjithë mund të jemi më të mirë.”

King, po ashtu 56-vjeçare, është prezantuese e “The Gayle King Show”, një prej disa programeve që tashmë e shohin rrjetin e Opras si shtëpinë e tyre.

Gazetarja kinezo-amerikane Lisa Ling ka gjithashtu serialin e saj në rrjetin OWN, një lloj dokumentari të titulluar “Amerika Jonë.” Ekspertja financiare Suzi Orman është po ashtu një personalitet i njohur që do të jetë pjesë e rrjetit. OWN zëvendësoi kanalin e rrjetit Discovery për shëndetin më 1 janar 2011 në stacionet kabllore dhe satelitore në Shtetet e Bashkuara.

Është hera e dytë që Opra Uinfri hyn në televizionin me kabllo. Ajo ishte bashkëthemeluese e kanalit Oxygen, të cilin ajo dhe partnerët e saj ia shitën rrjetit NBC Universal në vitin 2008.

Programi i saj famshëm “The Oprah Winfrey Show” do të përfundojë në shtator të këtij viti pas 25 vjetësh. Deri atëherë, Opra do të luajë rolin drejtues për të dy bizneset televizive.

XS
SM
MD
LG