Lidhje

Mbërrin në orbitën e Marsit anija amerikane MAVEN


Një anije hapsinore amerikane hyri në orbitën rreth planetit Mars. Ajo do të përpiqet t'i përgjigjet sadopak pyetjes se si ndryshoi ky planet nga një vend ku mund të kenë jetuar mikrobe, në një botë të ftohtë dhe shketëtirë shterpë. Do të duhen gjashtë javë që sonda të stabilizohet në orbitën e planetit të kuq.

Sonda, e quajtur Evolucioni i Atmosferës së Paqendrueshme në Mars, ose MAVEN, përfundoi të dielën udhëtimin prej 10 muajsh dhe 711 milion kilometrash.

Sonda do të masë shkallën me të cilën çlirohen gazet nga atmosfera marsiane drejt hapësirës.

Bruce Jakosky, që drejton anën shkencore të misionit, tha se synimi është të kuptohet shkaktari i ndryshimeve të rëndësishme të klimës në Mars gjatë miliarda viteve të shkuara.

“Po shikojmë se çfarë ndodh në pjesën e sipërme të atmosferës, se si procesi që përfshin diellin dhe erërat diellore ndikon tek gazet në atmosferë dhe i shpërndan në hapësirë. Ky është synimi kryesor, që të japim përgjigje se ku shkuan uji dhe dioksidi i karbonit.”

Do të duhen gjashtë javë që MAVEN të stabilizohet në orbitën e Marsit dhe të testojë instumentet para fillimit të misionit një vjetor që kushton 671 milion dollarë.

Ndërkohë, në orbitën e Marsit gjenden tre mjete hapsinore, dy amerikane dhe një evropiane. Një tjetër mjet nga India pritet të mbërrijë të mërkurën.

XS
SM
MD
LG