Lidhje

Deklarata kundër urrejtjes, pas sulmit në një tren në Amerikë


Disa ditë pasi presidenti amerikan Donald Trump u foli krerëve të vendeve myslimane mbi nevojën për t'u bashkuar për të zhdukur terrorizmin dhe ekstremizmin, një incident me bazë urrejtjen ndaj myslimaneve ndodhi në një tren në qytetin verilindor amerikan të Portlandit. Në qendër të agresionit ishin dy vajza adoleshente.

Autori i sulmit vrau dy persona dhe plagosi një tjetër që u përpoqën t’i kundërvihet atij duke u dalë në mbrojtje vajzave.

Në një koment në Twitter të hënën Presidenti Trump e quajti sulmin "të papranueshëm".

"Viktimat u ngritën ndaj urrejtjes dhe intolerancës. Lutjet tona shkojnë për ta ", shkroi presidenti.

Sipas policisë së Portlandit një nga dy vajzat e reja që ndodheshin në tren kishte veshur hixhab. Sulmuesi u foli ashpër duke përdorur "gjuhë urrejtjeje dhe paragjykuese".

"Dy burra humbën jetën pasi reaguan ndaj dikujt që shpërtheu me fjalë të urrejtjeje ndaj një pasagjereje myslimanë që ndodhej në tren" tha kryebashkiaku i Portlandit Ted Wheeler. "Klima e tanishme politike në vend u lejon shumë më tepër hapësirë atyre që përhapin fanatizmin. Fjalët e dhunshme mund të çojnë në veprime të dhunshme. Udhëheqësit e zgjedhur në Amerikë, të gjithë ata me ndërgjegje të pastër, duhet të punojnë me qëllim ndryshimin e dialogun politik ", tha Ted Wheeler.

Guvernatorja e Oregonit Kate Brown tha se gjithashtu se ndihej "zemërthyer" nga ky sulm.

"Siguria në udhëtim për komunitetet tona është një e drejtë themelore e njeriut që ne duhet ta garantojmë për të gjithë, pavarësisht nga vijnë këta njerëz apo çfarë besimi i përkasit”, tha ajo.

Senatori amerikan Jeff Merkley, i cili përfaqëson Oregonin, tha se gjuha e urrejtjes është "e papranueshme dhe jo amerikane".

Në një koment të tij në twitter ai shkroi "të gjithë mbështesim vëllezërit dhe motrat tona myslimane, që janë përballur me diskriminimin dhe frikën".

I dyshuari për sulmin në Portland është 35-vjeçari Jeremy Joseph Christian. Policia njoftoi se po heton atë që duket të jetë një ideologji ekstremiste si dhe postimet e tij në mediat sociale që tregojnë terheqjen e tij ndaj ideologjisë naziste dhe dhunës politike.

Mijëra donatorë kanë kontribuar në mbledhjen e fondeve për viktimat e sulmit dhe familjet e tyre, që deri të hënën kapi shifrën e 800 mijë dollarëve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG