Lidhje

Organizata e Shanghait për Bashkëpunim kundërshton planin amerikan të mbrojtjes nga raketat


Organizata e Shanghait për Bashkëpunim kundërshton planin amerikan të mbrojtjes nga raketat
Organizata e Shanghait për Bashkëpunim kundërshton planin amerikan të mbrojtjes nga raketat

Rusia vazhdon të kundërshtojë planet amerikane për një sistem mbrojtës nga raketat balistike. Në këtë raportazh nga Uashingtoni, korrespondenti i Zërit të Amerikës Andre de Nesnera i hedh një vështrim pikëpamjeve të Moskës dhe pozitën që ka marrë një grup i njohur si Organizata e Shanghait për Bashkëpunim, në të cilën bëjnë pjesë Rusia dhe Kina.

Për vite të tëra, Rusia ka qenë kritike e planeve amerikane për një sistem të mbrojtjes nga raketat balistike në Evropë.

Në vitin 2009, Presidenti Barack Obama braktisi një propozim të administratës së presidentit Bush për vendosjen e 10 interceptorëve të raketave në Poloni dhe një strukturë radarësh në Republikën Çeke.
Eksperti i kontrollit të armëve Joseph Cirincione thotë se plani i ri është shumë më fleksibël.

“Shtetet e Bashkuara janë duke vendosur një sistemi të ri të interceptorëve të raketave me bazë në destrojerin Aegis dhe në anije të tjera luftarake. Por planet për këtë sistem të avancuar përfshijnë edhe versione të bazuara në tokë, disa prej të cilave do të vendosen në ish-vendet e Paktit të Varshavës, duke përfshirë Poloninë dhe Rumaninë. Dhe në qoftë se këto raketa arrijnë aftësitë që Shtetet e Bashkuara dëshirojnë, ato do të jenë të afta të godasin raketat balistike ruse me rreze të gjata veprimi – gjë që përbën shqetësim për Rusinë”.

Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar vazhdimisht se plani për mbrojtjen nga raketat balistike nuk është drejtuar kundër Rusisë, por është për t’u mbrojtur nga sulmet e mundshme me raketa nga vendet të tilla si Irani.
Zoti Cirincione thotë se është një tjetër arsye që e bën Rusinë ta kundërshtojë planin e mbrojtjes nga raketat.

“Rusia nuk dëshiron një prani të fortë të Shteteve të Bashkuara në kufijtë e saj - dhe kjo ngre dyshime. Prania amerikane në Afganistan, në Irak, bazat dhe marrëveshjet e furnizimit që kemi me Uzbekistan dhe vende të tjera. Marrëdhëniet, natyrisht, me Poloninë dhe vendet e tjera të Evropës Lindore nuk janë të lidhura me Rusinë, nuk janë të përqendruar në Rusi, por kjo e fundit ka pothuajse një pikëpamje tradicionale të paranojës dhe i sheh gjërat si veprime kundër saj. Pra, është e vërtetë që Rusia është shumë e shqetësuar për atë që e cilësonë si një prani në rritje të Shteteve Bashkuara në kufijtë e saj”.

Rusia është pjesë e një aleance rajonale të njohur si Organizata e Shanghait për Bashkëpunim. Anëtarët e tjerë të kësaj organizate janë Kazakistani, Kirgistani, Taxhikistani, Uzbekistani dhe Kina. Disa ekspertë thonë se Rusia e sheh këtë organizat si një kundërshtare potenciale të NATO-s.

Në takimin e muajit të kaluar, gjashtë anëtarët e organizatës kritikuan programin për mbrojtjen nga raketat, duke thënë se “ai mund të dëmtojë stabilitetin strategjik dhe sigurinë ndërkombëtare”.

Marko Papic, analist i firmës private të zbulimit Stratfor, thotë se është shumë e rëndësishme që Moska bindi Pekinin për të nënshkruar një dokument që kundërshton planin amerikan për mbrojtjen nga raketat balistike.

“Vetë organizata nuk është e rëndësishme. E rëndësishme është se Kina gjithashtu ka shprehur pakënaqësi ndaj planit amerikan për mbrojtjen nga raketat. Kina nuk e ka bërë këtë sepse e shqetësojnë zhvillimet në Evropë për hir të Evropës, por kjo tregon se Pekini është i shqetësuar se sistemi amerikan për mbrojtjen nga rakatat në Evropë mund të bëhet një model strategjik, të cilin Shtetet e Bashkuara mund ta zbatojnë në pjesët e tjera të botës, duke përfshirë fqinjët e Kinës”.

Në samitin e vitit të kaluar të NATO-s në Lisbonë, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia ranë dakord të bashkëpunojnë për çështjen e mbrojtjes nga raketat. Ekspertët thonë se ndërkohë që është bërë përparim, Moska në thelb ende është kundër planit amerikan të mbrojtjes nga raketat.
Viktor Kremenjuk, analist i respektuar në Institutin e Moskës për Studime të Shteteve të Bashkura dhe Kanadasë, i tha medias ruse se në qoftë se Moska dhe Uashingtoni nuk pajtohen për një plan të përbashkët të mbrojtjes nga raketat, atëherë Rusia do t’i kthehet Kinës për të kërkuar ndihmë.

XS
SM
MD
LG