Lidhje

Takim emergjent i Organizatës së Shteteve Amerikane


Takimi u organizua pasi Ekuadori vendosi t'i japë azil themeluesit të WikiLeaks, Julian Assange

Organizata e Shteteve Amerikane zhvilloi dje bisedime emergjente për të diskutuar mosmarrëveshjen e Ekuadorit me Britaninë, pasi Ekuadori vendosi t'i japë azil themeluesit të WikiLeaks, Julian Assange.

Ambasadorja e Ekuadorit Maria Isabel Salvador u tha anëtarëve të organizatës, në Uashington, se kërcënimet e Britanisë për të hyrë në ambasadën e Ekuadorit në Londër për të kapur zotin Assange përbëjnë një veprim armiqësor dhe se ai veprim do të shkelte ligjet ndërkombëtare.

Një zëdhënës i misionit vëzhgues të Britanisë pranë Organizatës së Shteteve Amerikane mohoi që Londra të ketë shkelur ligjet në rastin e themeluesit të Wikileaksit. Zëdhënësi tha se Britania është e detyruar nga ligjet ndërkombëtare të ekstradojë zotin Assange në Suedi për t'u marrë në pyetje në lidhje me akuzat për sulm seksual, të cilat Assange i mohon. Ai tha gjithashtu se Britania e ka shpjeguar në mënyrë të përsëritur pozicionin e saj Quitos dhe se ende shpreson në gjetjen e një zgjidhjeje diplomatike.

Julian Assange ka qenë i strehuar në misionin diplomatik të Ekuadorit në Londër që nga muaji qershor.
XS
SM
MD
LG