Lidhje

Organizatat e bamirësisë përpiqen për më tepër donacione për njerëzit në nevojë

  • Chris Simkins

Organizatat e bamirësisë përpiqen për më tepër donacione për njerëzit në nevojë

Organizatat e bamirësisë përpiqen për më tepër donacione për njerëzit në nevojë

Megjithë ekonominë në krizë, një studim i ri tregon se aktivititi i bamirësisë nga individët dhe kompanitë u rrit më tepër 6,5 për qind krahasuar me vitin 2009. Studimi i kryer nga grupi kërkimor Atlasi i Dhurimit, thotë se shtimi i donacioneve ka ndodhur fillimisht nga gjendja e mirë e tregut të aksioneve dhe nga ndërgjegjësimi më i madh i njerëzve se ndodhen në kohë të vështira, për shkak të ekonomisë në krizë. Në vazhdim ju njohim me punën e disa organizatave të bamirësisë:

Këta banorë me pak të ardhura janë mirënjohës që po marrin ushqime.

Çdo javë, në Arlington, Organizata Banka Ushqimore e Virginias u dërgon ushqime banorëve të moshuar. Pa ushqime të tilla, si konserva, produkte bulmeti, dhe mish të ngrirë, shumë prej tyre me të ardhura të kufizuara si Mary Lanier, do të detyroheshin të sakrifikonin gjëra të tjera.

Shumë njerëz duhet të paguajnë për mjekësinë dhe për gjëra të vogla, por me këto ushqime falas, ata mund të kursesjnë nga pak para për ta shtyrë muajin”.

Pa donacionet e konsiderueshme nga njerëzit dhe korporatat, Qendra për Ndihmat Ushqimore e Arlingtonit nuk do të ishte në gjendje t’u shpëndante ushqime rreth 3 mijë njerëzve në nevojë. Megjithë rënien ekonomike, donacionet u rritën me 26 për qind në vitin 2009 dhe vitin e kaluar u siguruan më tepër se një milionë dollarë fonde për ndihma. Donatorë si Alois Michalak u janë përgjigjur kërkesave për të ndihmuar të tjerët.

“Gjatë 4 vjetëve të shkuara gruaja dhe unë kemi dhuruar përherë e më tepër nga viti në vit, prandaj unë parashikoj që të vazhdojmë të dhurojmë”.

Drejtori ekzekutiv i Bankës Ushqimore Charles Meng thotë se shtimi i donacioneve nënkupton se organizata të jetë e aftë këtë vit të përmbushë kërkesat në rritje për ndihma ushqimore.

“Banorët e qytezës të Arlingtonit në Virxhinia tradicionalisht kanë dhuruar për organizatën tonë. Ata po dalin nga recesioni më herët se të gjithë dhe janë të gatshëm të dhurojnë për fqinjët”.

Donacionet në mbarë SHBA ndryshojnë në mënyrë të konsiderushme nga një organizatë tek tjetra. Donacionet me ushqime dhe strehim për të pastrehët u shtuan ndjeshëm vitin e kaluar, por shoqatat e vogla që mbështeten tek shumat e dhuruara nga individët nuk morën aq shumë mbështetje.

Donacionet për organizatën Salvation Army po ashtu ranë vitin e kaluar, gjatë krizës. Organizata e kishterë ndihmon rrreth 32 milionë njerëz në mbarë SHBA. Fushata më e madhe e fondacionit për grumbullim fondesh nuk arriti të sigurojë në Washington sasinë e nevojshme të parave gjatë Krishtlindjes së kaluar. Steve Morris kryeson operacionet organizatës.

“Në kushtet kur ka një numër të madh njerëzish që po humbin shtëpitë për shkak të marrjes së pronësisë nga bankat, donatorët janë ndikuar nga ky fakt dhe kjo është arsyeja që pati një rënie të sasisë së donacioneve në përgjithësi”.

Po ashtu, ka patur një rënie të donacioneve nga korporatat dhe bizneset lokale. Si rezultat, thotë Morris, organizata “Salvation Army” po i rivlerëson burimet e veta për të shmangur shkurtimin e mundshëm të programeve në Washington dhe për rreth 3 mijë komunitete të tjera amerikane.

“Sinqerisht, që do na duhet të shtrëngojmë rripin muajt e ardhshëm. Përkushtimi ynë nuk është për t’i dobësuar këto shërbime. Në fakt, me këtë ekonomi që kemi, ne kemi nevojë të rrisim sasinë e shërbimeve që mund të sigurojmë, pra kjo është sfida që ne kemi në nivel shteti dhe federal”.

Dyqani i Organizatës Salvation Army është një tjetër vend ku pati më pak donacione vitin e kaluar. Dyqani shet objekte të dhuruara për të mbledhur para për bamirësi, por tani ka më pak objekte për blerësit. Në magazinën e dyqanit, vendet që dikur mbusheshin me mobilje dhe rroba janë tani bosh. Zyrtarët e Salvation Army-it thonë se në kohë të vështira njerëzit kanë prirjen t’i ruajnë më gjatë sendet e vjetra. Në mënyrë që gjendja të përmirësohet, dyqani ka nevojë për më tepër donatorë si Dawson Williams.

“Jemi në një krizë të rëndë dhe ka shumë njerëz të cilët kanë nevojë për rroba; ne jemi me fat që rrobat e fëmijëve përdoren pak dhe shpresojmë që të ketë familje me fëmijë të vegjël dhe që mund t’i përdorin këto rroba”.

Disa organizata bamirësie thonë se janë optimiste se donacionet do të shtohen këtë vit. Zyrtarët thonë nëse jo, ata mund të detyrohen ndoshta të kufizojnë programet që u vijnë në ndihmë njerëzve në nevojë.

XS
SM
MD
LG