Lidhje

Orkestra Rinore e Bashkimit Evropian zhvillon turne në SHBA

  • Sean Maroney

Orkestra Rinore e Bashkimit Evropian po zhvillon turneun e parë amerikan në më shumë se 20 vjet, me koncerte në disa nga qytetet kryesore amerikane dhe në disa qendra universitare. Orkestra u ndal edhe në Uashington, ku të rinjtë ndanë dashurinë për muzikën me kolegët e tyre amerikanë.

Mijëra muzikantë të rinj nga 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian konkurojnë çdo vit për të zënë një nga këto karrige.

Edhe pse në Evropë ka papunësi të lartë, Orkestra Rinore e BE-së i ofron rreth 140 muzikantëve të rinj një shans për t’u bërë pjesë e këtij projekti.

Gjasat janë që pothuajse të gjithë ata të bëhen muzikantë profesionistë.

Ky është turneu i fundit me grupin për violinisten Sarah Sew. Ajo është britanike dhe thotë se fakti që orkestra është shumëkombëshe është forca më e madhe e saj.

"Një pjesë e energjisë, e ndjenjave dhe emocioneve që përjetohen gjatë interpretimit vijnë pikërisht nga kjo."


Në kuadër të turneut të saj amerikan, Orkestra Rinore e Bashkimit Evropian është duke e transportuar atë energji nga sallat e koncerteve nëpër klasa, duke u ndalur në disa shkolla të mesme. Muzikantët e saj thonë se është e rëndësishme për ta që të ndajnë me të tjerët dashurinë e tyre të muzikës.


Takime si këto pranë Uashingtonit, u japin nxënësve amerikanë një mundësi për të takuar dhe për të intrepretuar me muzikantët evropiane, që janë të gjithë pak a shumë në të njëjtën moshë me ta.


Violinistja Sew thotë se ajo dëshiron të frymëzojë nxënësit, ashtu siç ndodhi me të para se të fillonte të interpretonte.


"Mbaj mend se çfarë kam ndjerë herën e parë kur kam dëgjuar dikë të interpretonte para meje me violinë, dhe unë pata një dëshirë të jashtëzakonshme për t’i rënë këtij instrumenti."


Joy Bryer e themeloi orkestrën e të rinjve në vitet ‘70 bashkë me të shoqin. Ajo i quan muzikantët e rinj fëmijët e saj dhe thotë se ata janë ambasadorë.

"Nuk ka asgjë më të rëndësishme se sa takimi i të rinjve në një moshë kur ata nuk i shprehin hapur vlerat, apo tolerancën, dhe punojnë së bashku dhe të prodhuar diçka të madhe."


Sarah Sew thotë se nuk ka rëndësi se nga cili vend është publiku, apo muzikantët. Gjuha e tyre e përbashkët është muzika.


"Nëse ndjeni diçka kur dëgjoni muzikë, mos e harroni dhe mos e lini të shkojë kur koncerti përfundon, ose kur mbaron interpretimi në radio. Mbajeni në kujtesë, ruajeni atë ndjenjë."


Shoqata e Arteve e Washingtonit e prezantoi Orkestrën Rinore Evropiane në Qendrën Kenedi të kryeqytetit amerikan. Ndalesat e tjera të orkestrës përfshijnë qytetet e Nju Jorkut, Bostonit, dhe në përfundim të turneut ata do të interpretojnë pranë Çikagos.

XS
SM
MD
LG