Lidhje

Zyrtarët hetojnë shkaqet e masakrës në Florida


Hetuesit në Florida vazhdojnë të kërkojnë arsyet se përse një person i armatosur vrau 49 vetë dhe plagosi 53 të tjerë të dielën, vrasja masive më e përgjakshme në historinë amerikane.

Ata thanë sot se po shqyrtojnë dhjetra informacione, për të përcaktuar nëse 29-vjeçari Omar Saddiqui Mateen, i dyshuar për masakrën në një klub nate të Orlandos, ka pasur ndihmë nnga njerëz të tjerë.

Agjentët e Byrosë Federale të Hetimeve u thanë gazetarëve në Orlando se nuk do të lënë gur pa lëvizur për të gjetur shkaqet.

Autoritetet thonë se 29-vjeçari hapi zjarr në një klub nate që frekuentohej kryesisht nga homoseksualë në qendër të qytetit Orlando.

Mateen, i armatosur me armë automatike, shkëmbeu zjarr me një oficer policie që po punonte në klub pas orarit të rregullt. Pastaj u largua nga ndërtesa dhe u kthye, duke marrë një numër pengjesh, të cilët i mbajti për rreth tre orë.

"Ishte kaos i plotë. Në qoftë se do ta krahasoja me diçka, do të thosha se ishte si një skenë filmi, ku njerëzit kërkonin ndihmë. Disa njerëz shkeleshin me këmbë nga të tjerët. Klubi nuk kishte asnjë shenjë të qartë daljeje dhe ne nuk dinim se nga duhet të dilnim. Ishte një çmenduri e vërtetë," tregon dëshmitari Janiel Gonzalez​

Një skuadër policore e reagimit të shpejtë hyri në klub dhe e vrau personin që qëllonte.

FBI-ja thotë se gjatë kësaj kohe, Mateen i kishte bërë një telefonatë shërbimit të emergjencës, duke shprehur mbështetje për ekstremistët e Shtetit Islamik. FBI-ja e kishte marrë në pyetje këtë person tri herë në të kaluarën nën dyshimet se ai u mburrej kolegëve për lidhjet me al-Kaidën, por nuk mundi t’i verifikojë pretendimet e tij.

Në Uashington, presidenti Barack Obama tha se ngjarja e Orlandos ishte njëkohësisht akt terrorizmi dhe akt urrejtjeje:

"Kjo është një ditë veçanërisht e dhimbshme për të gjithë miqtë tanë – për të gjithë bashkëvendasit tanë LGBT. Personi vuri në shënjestër një klub nate ku njerëzit kishin shkuar për të qenë së bashku me miqtë, për të kërcyer, kënduar dhe jetuar. Vendi ku ata u sulmuan është më shumë se një klub nate; është një vend solidariteti, ku njerëzit mblidheshin për të rritur ndërgjegjësimin, për të shprehur atë që ndienin dhe për të mbrojtur të drejtat e tyre civile".

Presidenti Obama tha gjithashtu se ngjarja ishte një tjetër kujtesë se sa e lehtë është që dikush të mund "të shtjerë në dorë një armë dhe të qëllojë ndaj njerëzve nëpër shkolla, kisha, kinema dhe klube nate.”

Presidenti urdhëroi uljen e flamujve amerikanë në gjysmë shtizë në përkujtim të viktimave.

Masakra ndodhi ndërkohë që shumë qytete në mbarë botën festojnë qershorin si muajin e krenarisë për personat LGBT.

Ajo ndodhi pak më shumë se një ditë pas një tjetër ngjarjeje tragjike në Orlando, në të cilën këngëtarja Christina Grimmie, një 22-vjeçare pjesmarrëse në garën televizive të talenteve "The Voice", u qëllua për vdekje nga një person pranë vendit të koncertit. I dyshuari, 27-vjeçari Kevin James Loibl, më pas vrau veten në vendin e ngjarjes.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG