Lidhje

Tragjedia e Orlandos dhe fushata presidenciale

  • Jim Malone

Vrasjet masive të së dielës në Orlando të Floridës, që janë cilësuar si sulmi më i përgjakshëm me armë në historinë e Shteteve të Bashkuara, tani janë bërë një temë qendrore në fushatën e zgjedhjeve presidenciale. Të dy kandidatët që mendohet se do të jenë të emëruarit e Partisë Republikane dhe asaj Demokrate në zgjedhjet presidenciale, folën dje hapur për tragjedinë.

Pa u fashitur mirë jehona e masakrës në Orlando, ajo zuri vend në qendër të fushatës elektorale në Shtetet e Bashkuara.

Donald Trump, i cili pritet të jetë i emëruari i Partisë Republikane për zgjedhjet presidenciale, foli gjatë fushatës së tij në Nju Hamshër, ku duket se ofroi një variant të ri të planit të tij për t’u ndaluar përkohësisht myslimanëve jo-amerikanë të hyjnë në Shtetet e Bashkuara.

“Kur të zgjidhem, unë do ta pezulloj emigracionin nga ato rajone të botës, ku është provuar të ketë patur synime terroristë dhe shfaqje terroriste kundër Shteteve të Bashkuara, Europës dhe aleatëve tanë. Ne nuk mund të vazhdojmë të lejojmë të hyjnë në vend me mijëra njerëz, shumë prej të cilëve kanë të njëjtën mënyrë të menduari si ky vrasës mizor.”

Zoti Trump fajësoi menjëherë si Presidentin Barak Obama, edhe zonjën Hillary Clinton, kandidaten e pritshme demokrate, për politika që, sipas tij, i kanë lënë Shtetet e Bashkuara të zbuluara ndaj sulmeve.

“Clinton do që t’i lejojë terroristët radikalë islamikë të vërshojnë në vendin tonë. Ata i trajtojnë gratë si skllave dhe vrasin homoseksualët. Nuk dua që ata të jetojnë në vendin tonë,”- tha zoti Trump.

Ndërsa zonja Clinton foli në Cleveland; ajo bëri thirrje për unitet kombëtar pas vrasjeve në Orlando.

“Ky është momenti kur të gjithë amerikanët duhet të qëndrojnë të bashkuar. Pavarërisht nga fakti se sa herë ne pësojmë sulme terroriste si ky, tmerri i tyre nuk zbehet kurrë.”

Zonja Clinton po ashtu foli në favor të disa masave për kontrollin e armëve. Ajo tha se do t’i bënte sulmet e vetmuara terroriste si ai i Orlandos, përparësinë e saj. Në komentet e saj u duk se ajo nuk është dakord me propozimin e zotit Trump për ndalimin e myslimanëve.

“Në fakt, ne duhet t’i intensifikojmë kontaktet me këto komunitete dhe jo t’i viktimizojmë dhe izolojmë ato.”

Sulmi i Orlandos e ka fokusuar edhe një herë fushatën presidenciale tek kërcënimi i terrorizmit.

Por propozimi i mëparshëm i zotit Trump për ndalimin e myslimanëve, po ashtu po tërheq vëmendje të re, duke rindezur frikën mes republikanëve se ai do të jetë një kandidat përçarës në zgjedhjet e përgjithshnme, thotë analisti John Fortier:

“Ai është një kandidat i paqëndrueshëm dhe unë mendoj se ka patur momente, kur ai është dukur se është zbutur duke u bërë më tepër pjesë e partisë republikane. Pastaj ka patur edhe momente kur komentet e tij i kanë nxitur përsëri këto probleme. Pra, unë nuk mendoj se ne kemi për të parë ndryshim tek Donald Trumpi. Ai është ai që është.”

Anketat e kohëve të fundit i japin zonjës Clinton një avantazh të madh kur është fjala për trajtimin e çështjeve të politikës së jashtme. Por disa anketa i japin zotit Trump një avantazh të vogël për çështjen se cili kandidat do të jetë më i ashpër në trajtimin e kërcënimit që paraqet Shteti Islamik.

XS
SM
MD
LG