Lidhje

Presidenti Obama viziton të enjten Orlandon


Nënpresideni amerikan Joe Biden thotë se çështja e vrasjes masive në Orlando të Floridës po bëhet më e qartë ndërsa hetuesit përpiqen të përcaktojnë motivin e sulmit që vrau 49 persona dhe plagosi 53 të tjerë.

Zoti Biden nuk dha hollësi të martën, por tha se presidenti Barack Obama do të flasë më shumë mbi këtë çështje të enjten, kur të vizitojë Orlandon.

Presidenti në komentet e tij të martën tha se vrasja u krye nga një i ri i zemëruar dhe i paqëndrueshëm i cili ishte radikalizuar. Ai tha se nuk kishte tregues se ndonjë grup i huaj terrorist e drejtoi 29-vjeçarin Omar Mateen në sulmin e tij në klubin e natës Pulse që frekuentohej nga homoseksualë.

Pronarët e klubit thanë se e kishin parë shpesh Mateen atje gjatë disa viteve të fundit. Të tjerë thanë se e kishin takuar dhe kishin biseduar me Mateen në internet. Ai ishte i martuar dy herë, një herë i divorcuar dhe me një djalë tre-vjeçar.

Një person, Ty Smith, thotë se i kujtohet se e kishte parë Mateen në klubin Pulse të paktën mbi dhjetë herë. "Ndonjëherë ai ulej në një qoshe dhe pinte i vetëm, dhe herë të tjera dehej dhe bëhej agresiv," tregon Smith.

Një tjetër person, Jim Van Horn, 71 vjeç, thotë se Mateen ishte frequentues i rregullt në Klub. Van Horn dhe të tjerë të njohur në klubin për homoseksualët në Orlando thanë për Associated Press se Mateen ishte në konflikt në lidhje me seksualitetin e tij dhe u motivua nga urrejtja për homoseksualët në kryerjen e sulmit.

Babai i Mateen, Seddique Mateen, u tha gazetarëve se djali i tij u shqetësua shumë kur pa dy burra duke u puthur gjatë një vizite të fundit në Miami, Florida.

Organet e rendit thonë se dy herë në vitet e fundit kanë hetuar mbi lidhjet e Mateen me grupe terroriste, por arritën në përfundimin se akuza ishte e pajustifikueshme dhe i ndërprenë hetimet.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG