Lidhje

Kosovë: Kremtohen Krishtlindjet ortodokse


Krishtlindjet ortodokse po kremtohen edhe në kishat e manastiret e Kosovës, ndërsa liturgjia kryesore në manastirin mesjetar të Graçanicës, afër Prishtinës. Përfaqësuesit më të lartë të Kosovës kanë përgëzuar besimtarët e komunitetit serb duke bërë thirrje për ruajtjen e tolerancës etnike e fetare dhe punë të përbashkët të të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga shprehu në një urim dëshirën që siç thuhet, këtë festë të madhe e mirëkuptimit, solidaritetit, dashurisë dhe respektit ndaj njëri-tjetrit, besimtarët ta kalojnë në paqe, harmoni e gëzime.

Kjo ditë feste le të shërbejë për ta shtuar besimin dhe respektin e ndërsjellë, për t’iu gëzuar të arriturave të përbashkëta dhe për të punuar për një jetë më të mirë e më të begatë, thuhet mes tjerash në urimin e presidentes Jahjaga.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, krahas dëshirave për harmoni, mirëqenie e solidaritet, uron që dita e Krishtlindjes Ortodokse të jetë ditë që i afron të gjithë dhe ditë e tolerancës fetare e mirëkuptimit ndaj njëri tjetrit.

Ai shprehu përkushtimin e qeverisë së tij që Kosova të jetë vend i bashkëjetesës.

Kosova ishte pjesë edhe e urimeve të udhëheqësve të kishës ortodokse serbe, të cilët u bënë thirrje pjesëtarëve të komunitetit serb që të qëndrojnë në Kosovë të cilën kreu i kishës serbe, patriku Irinej e cilësoi si tokë të shenjtë serbe.

Dhjetëra përfaqësues të familjare të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, protestuan ndaj synimeve të një grupi serbësh për të vizituar kishën ortodokse në Gjakovë. Dy persona janë arrestuar nga policia për shkak se qëlluan me copa akulli mbi një autobus me pelegrinë serbë.

Policia tha se vizitorët serbë vendosën të kthehen me gjithë masat e sigurisë që ishin marrë për të lejuar vizitën e tyre në kishën e Gjakovës, që është një nga qytetet me numër të madh të të zhdukurve gjatë luftës.

Zyrtarë të Beogradit reaguan ndaj protestës në Gjakovë duke paralajmëruar se ngjarjet e tilla mund të dëmtojnë përpjekjet për të normalizuar marrëdhëniet ndërmjet të dyja vendeve.
XS
SM
MD
LG