Lidhje

OSBE: ligji i hapjes së dosjeve nuk po zbatohet


OSBE u bëri sot thirrje autoriteteve shqiptare që ta zbatojnë pa humbur më tepër kohë ligjin për hapjen e dosjeve të Sigurimit famëkeq të Shtetit gjatë diktaturës komuniste.

OSBE, thirrje për hapjen e dosjeve
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:56 0:00

Kryetari i Pranisë së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Bernd Borchardt, tha sot se vetëm zbulimi, trajtimi dhe diskutimi i padrejtësive të shkuara, nuk lejon që e shkuara të bëhet barrë për të ardhmen.

Amb. Borchardt i bëri këto komente në konferencën e fondacionit Konrad Adenauer “Hapja e dosjeve të Sigurimit - Sa më shpejt aq më mirë”.

“Është për të ardhur keq - tha amb. Borchardt - kur sheh që, edhe pse ka kaluar mbi një vit e gjysmë nga hyrja në fuqi e ligjit, dhe pavarësisht se parlamenti ka përpara 11 kandidatë për 5 anëtarët e Zyrës së Haphjes së Dosjeve, parlamenti ende nuk ka votuar për ta. OSBE – tha ambasadori Borchardt - e përshëndeti vrullin e fillimit, për të zbatuar këtë ligj dhe tani personat përgjegjës nevojitet të marrin masat për ta kthyer në rendin e punës së parlamentit, për të zbatuar ligjin dhe hapjen e dosjeve sipas ligjit”.

Në konferencë morën pjesë një numër i madh i përndjekurve politikë, përfaqësues të disa shoqatave, që mbajnë shpresa të vakëta edhe sot pas 25 vjet demokraci se persekutorët e tyre nga Sigurimi famëkeq i Shtetit, ende të paprekur nga asnjë proces ndalimi do të marrin një ndëshkim, ose së paku do të pengohen të përfshihen në administratën publike.

Politikanë dhe zyrtarë, socialistë dhe demokratë morën fjalën për të bërë një mori sqarimesh ligjore dhe procedurash parlamentare, pa mundur të shpjegojnë se si ka ndodhur që pas 25 vjetësh demokraci, përsëri ka mbi një vit që nuk zbatohet as ligji i moderuar i hapjes së dosjeve, që i ofron ato vetëm për studime dhe jo për lustrime.

Mos-hapja e dosjeve të krimeve, vrasjeve dhe përndjekjes së kundërshtarëve politikë nga Sigurimi famëkeq i Shtetit në një Shqipëri tërësisht të izoluar nga bota e qytetëruar vlerësohet nga ekspertët se e ka dëmtuar rëndë shoqërinë shqiptare.

Në dy dekadat e fundit debati publik u përqëndrua më shumë tek pika nëse duhen publikuar apo jo disa emra spiunësh, apo informatorësh, njoftime të qytetarëve kundër njëri-tjetrit.

Por pakkush e ndriçoi terrorin dhe vrasjet që bëri Sigurimi në 45 vjet për të mbajtur në pushtet drejtuesit e tij dhe të partisë komuniste me grushtin e hekurt të diktaturës.

XS
SM
MD
LG