Lidhje

OSBE dhe media shqiptare


Gjendja e kritike e mediave shqiptare, mbajtja e tyre nën presione politike u diskutuan sot nga O.S.B.E. dhe Këshilli i Europës në një konferencë mbi lirinë e shprehjes. Përfaqësuesja e OSBE-së për lirinë e medias, Dunja Mijatoviç, tha se Shqipëria ka shumë arritje me mediat e saj në dy dekadat e fundit, por ka ende shumë për të bërë.

“Duhet bërë shumë më tepër për pavarësinë e medias dhe për pavarësinë e institucioneve, që lidhen me median. Duhet të sigurohemi se gjithë ligjet që miratohen do ta ndihmojnë dhe jo ta pengojnë median” - tha zonja Mijatoviç. Ajo shtoi se Shqipëria duhet të ecë më shpejt në rrugën e më shumë lirive dhe një klime më të shëndetshme për zhvillimin e medias.

Në këtë rrugë Shqipëria ka mbështetjen e OSBE-së dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë për të arritur një nivel më të lartë të lirisë së medias. “Thelbi është siguria e gazetarëve. Nëse njerëzit e shtypit kanë dicka për të kërkuar, ata duhet ta ngrenë zërin dhe dhe të flasin qartë, ndërsa ligjvënësit dhe autoritetet të dëgjojnë” - tha ajo.

Konferenca mbi mediat dhe lirinë e shprehjes u mbajt sot në 20- vjetorin e antarësimit të Shqipërisë në Këshillin e Europës. Marko Leideker, kreu i Zyrës së Këshillit të Europës në Tiranë, tha se Europa është e shqetësuar për mungesën e pavarësisë së gjykatave dhe të mediave në disa vende të rajonit, mes të cilave edhe Shqipëria. Mediat shqiptare vuajnë nga përqëndrimi në duart e politikës dhe të bizneseve.

XS
SM
MD
LG