Lidhje

OSBE rikthen reformën zgjedhore


OSBE u kujtoi sot forcave politike shqiptare se ka ardhur koha që të kryejnë reformën zgjedhore për të përmirësuar zgjedhjet e ardhshme. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të dërgojë propozimet e veta në parlament së bashku me rekomandimet e OSBE/ ODIHR-it. Drejtuesi i OSBE në Shqipëri, Florian Raunig deklaroi në një tryezë të përbashkët debati me KQZ dhe partitë politike se disa segmente të rëndësishme të procesit zgjedhor presin përmirësime sipas rekomandimeve të zyrës ODIHR. Sipas tij, thelbësor mbetet zbatimi i ligjeve ekzistuese, depolitizimi i administratës zgjedhore dhe ngritja e saj profesionale.

“Përgjegjësia më e madhe për zhvillimin e suksesshëm të zgjedhjeve bie mbi partitë kryesore, të cilat kanë shumë kompetenca për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor” - tha zoti Raunig. Sipas tij, partitë duhet të plotësojnë kuotat ligjore për përfaqësimin e grave në parlament dhe duhet të shmangin cdo mënyrë të cënimit të votës, pa harruar edhe forcimin e KQZ-së.

Nga ana tjetër ministri për marrëdhëniet me parlamentin, Ilirian Celibashi, tha se qeveria është vullnetplotë për të përmbushur rekomandimet e OSBE/ODIHR-it sa i takon administratës shtetërore dhe do të bashkëpunojë për këtë qëllim me të gjithë faktorët institucionalë dhe politikë vendas dhe të huaj. Roli i opozitës është i rëndësishëm për zgjedhje të rregullta duke zbatuar ligjin, tha ai.

Opozita e vuri më tepër theksin tek kryerja me mirëkuptim e ndryshimeve ligjore që kërkojnë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. Përfaqësuesi i PD, Oerd Bylykbashi tha se tashmë është bërë traditë që ndryshimet në Kodin Zgjedhor janë kryer me mirëkuptim dhe se për këtë reformë nuk janë të rëndësishëm numrat e votave në parlament.

Edhe pse zgjedhjet vendore janë në mesin e vitit tjetër, autoritetet shqiptare, sipas OSBE, duhet të hartojnë një udhërrëfyes për zbatimin e rekomandimeve të ODIHR-it. Ndryshimet ligjore duhen bërë shumë kohë përpara, në mënyrë që administrata zgjedhore të marrë masa për mbarëvjatjen e procesit, dhe t'i japë fund zvarritjeve të minutës së fundit, që shpesh e kanë rritur mjaft tensionin dhe kundërshtimin e rezultateve zgjedhore.

XS
SM
MD
LG