Lidhje

OSBE: “Korrupsioni nuk është një krim pa viktima. Ai po dëmton zhvillimin dhe investimet publike”.


Përfaqësues të institucioneve perëndimore në Tiranë i nxitën sot autoritetet shqiptare që të thellojnë luftën kundër korrupsionit, si një mjet kryesor për zhvillimin e vendit. Në një konferencë të Kontrollit të Lartë të Shtetit, përfaqësuesi i zyrës së OSBE-së në Shqipëri, Robert Uilton tha se korrupsioni po shkatërron zhvillimin e vendit dhe investimet në energji, shkolla, spitale dhe në ekonomi, ndaj duhet një reagim energjik.

“Korrupsioni nuk është një krim pa viktima - tha zoti Uilton. - Roli i KLSH në zbulimin e korrupsionit është shumë i madh, por përqindja e zbatimit të rekomandimeve të KLSH është i ulët. Ne i nxitim institucionet shtetërore - tha përfaqësuesi i OSBE-së - që të shtojnë zbatimin e ndëshkimeve të rekomanduara nga KLSH, në mënyrë që të ulet keqpërdorimi i fondeve publike”.

Nga ana tjetër, Kontrolli i lartë i shtetit ka rritur ndjeshëm numrin e denoncimeve në prokurori për zyrtarë të ulët e të lartë, që abuzojnë me fondet publike. Prokuroria i ka propozuar të gjitha rastet për pezullim nga detyra, dhe një pjesë e tyre janë dërguar në gjykatë.

Adriatik Llalla tha se lufta ndaj korrupsionit nuk mund të shihet si një garë ose rivalitet mes institucioneve, por nevojitet bashkëpunimi i tyre deri në vendimin e gjykatës me dënim, sepse dukuria është shtrirë shumë.

Presidenti Bujar Nishani kërkoi që hetuesit dhe kontrollorët të shtojnë profesionalizmin, bashkëpunimin dhe pavarësinë gjatë punës së tyre kundër korrupsionit.

OSBE dhe BE e kanë ndihmuar mjaft Shqipërinë që të rritë profesionalizmin e hetimeve kundër korrupsionit, të cilin e shohin si një pengesë në ecjen drejt integrimit europian.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG