Lidhje

OSBE po punon për të rifilluar operacionet në Bjellorusi

  • Zëri Amerikës

OSBE po punon për të rifilluar operacionet në Bjellorusi

OSBE po punon për të rifilluar operacionet në Bjellorusi

Organizata më e madhe për sigurinë rajonale në botë thotë se po punon për të rifilluar operacionet në Bjellorusi pas vendimit të debatueshëm të këtij vendi për të anuluar mandatin e organizatës.

Shefi i Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë, ministri i Jashtëm i Lituanisë Audronius Azubalis tha në një deklaratë sot se është thellësisht i shqetësuar nga vendimi i qeverisë bjelloruse për të mos zgjatur mandatin e organizatës në Minsk.

Por ai shtoi se OSBE-ja ka filluar konsultimet jozyrtare me Bjellorusinë dhe vende të tjera pjesëmarrëse në OSBE për të gjetur një marrëveshje për të vazhduar operacionet.

Bjellorusia u përball me kritika të shumta nga Perëndimi për vendimin e saj javën e kaluar për të mbyllur një zyrë lokale të OSBE-së pasi grupi kritikoi zgjedhjet e fundit presidenciale atje.

Ministria e Jashtme bjelloruse njoftoi vendimin e saj për të mos vazhduar operacionet e OSBE-së në kryeqytetin e vendit pasi mandati i zyrës kishte përfunduar.

Kjo masë pasoi një vlerësim të OSBE-së pas zgjedhjeve të 19 dhjetorit se Bjellorusia është ende shumë larg zhvillimit të zgjedhjeve demokratike. Grupi tha se vëzhguesit e zgjedhjeve vlerësuan se numërimi i pothuajse gjysmës së votave ishte bërë keq ose shumë keq.

XS
SM
MD
LG