Lidhje

Raporti i OSBE-së për lidhjet e politikës


Ambasadori Raunig: Informacioni nga shkrimet e mediave. Lapsi.al boton një tjetër pjesë të raportit për lidhjet e dyshimta të një numri të madh deputetësh

Portali informativ shqiptar Lapsi.al vazhdoi dhe sot me publikimin e raportit të brendshëm të Osbe-së, duke u fokusuar në marrëdhëniet dhe lidhjet e një numri të konsiderueshëm deputetësh dhe dyshimet rreth mënyrës se si ata kanë ngritur pasuritë e tyre. Në raport flitet se si deputetët e politikanët “tentojnë të ivestojnë në biznese fitimprurëse dhe të vështira për t’u gjurmuar, si ndërtimi, arsimi, industria minerare, hidrocentralet, shërbim shëndetësor, media apo pasuri të patundshme”, apo se si “për të shmangur hetimet, pjesën më të madhe të të ardhurave kalojnë përmes filtrave të pastrimit të parave dhe i regjistrojnë në emrat e të afërmve apo bashkëpunëtorëve të ngushtë”.

Në këtë përmbledhje ka një kategorizim të deputetëve. Nga njëra anë ata që kanë shfrytëzuar funksionet dhe pozitën, e janë përfshirë në aktivitete të paligjshme e deri në lidhje të dyshuara me grupe kriminale, dhe nga ana tjetër, biznesmenë të cilët kanë zgjedhur përfshirjen në politikë për të mbrojtur pasuritë që dyshohen të jenë vënë përmes veprimtarive të dyshuara.

Një ditë më parë, u botuan informacionet mbi lidhjet e supozuara të kryeministrit Edi Rama, kryetarit të parlamentit Ilir Meta dhe ish kryeministrit, të cilat përmbanin dyshime për përfitime të shumta të paligjshme e deri lidhje me elementë të botës së krimit.

Zyra e OSBE-së reagoi sot sërish rreth publikimit të këtij materiali. “Informacioni i botuar nuk përfaqëson as politikën e OSBE-së apo pikëpamjen tonë zyrtare, as nuk përbën një vlerësim apo gjykim dhe as nuk ka shërbyer si bazë për raporte të tjera. Dëshiroj të përsëris se përmbledhja ishte thjesht një grumbullim informacioni nga raportime të medias shqiptare dhe pretendimeve që qarkullonin në publik. Prezenca nuk e verifikoi informacionin e përdorur, pasi qëllimi i asaj përmbledhjeje ishte pasqyrimi i pretendimeve dhe jo përcaktimi i të vërtetës”, deklaroi ambasadori i OSBE-së Florian Raunig.

Publikimi i këtij raporti vjen në një moment të ngarkuar me akuza pikërisht për lidhjet e dyshimta të politikës, që nga debati lidhur me cështjen e Cez-it, te akuzat e ish-shefit të Antidrogës së Fierit Dritan Zagani për lidhjet e drejtuesve të lartë të policisë apo dhe vetë ministrit të Brendshëm me rrjetet e trafikantëve, apo dhe debati për dekriminalizimin që u rikthye me forcë pas përfshirjes së deputetit socialist Armando Prenga në një konflikt të dhunshëm.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG