Lidhje

Reforma zgjedhore, OSBE apel partive


Në Shqipëri, Osbe përsëriti sot sërish thirrjen për nevojën e përmbylljes në kohë të reformës zgjedhore. Ambasadori Eugen Wollfarth tha se cdo reformë duhet të konsensusin më të gjerë të mundshëm dhe të jetë në gjendje t’i rezistojë kohës. Shumica e djathtë e kryeministrit Sali Berisha dhe opozita socialiste nuk po bien dakort për zgjidhjen e dy momenteve kyce që lidhen me procedurat e ankimimit dhe rikompozimin e komisionit qendror të zgjedhjeve. Kryetari socialist Edi Rama tha dy ditë më parë se nuk mund të ketë reformë pa këto dy elementë. Sot kryeministri Sali Berisha i doli në mbrojtje kryetarit të Komisionit qëndror Arben Ristani ndërsa tha se ishte i gatshëm të takohej me kryetarin socialist


Kur gjysma e afatit të ri që ju dha komisionit parlamentar të reformës zgjedhore ka kaluar, ndaj palëve përsëriten thirrjet për përmbushjen e saj në kohë. Sot ishte sërish ambasadori Eugen Wollfarth i Osbe-së, institucion që me ekspertët e vet ka ndjekur nga afër procesin, i cili theksoi edhe një herë se palët duhet të dalin mbi interesat politike: “Vija e finishit është afër, por vetëm për ata me vullnet politik. Megjithatë, çdo reformë e miratuar në fund duhet të kërkojë konsensusin më të gjerë të mundshëm dhe duhet të jetë në gjendje t’i rezistojë sprovave të kohës. Përmbushja e kësaj detyre kërkon, mbi të gjitha, që udhëheqësit politikë t'i lënë mënjanë interesat partiake vetjake dhe të vënë në plan të parë vendin e të nderojnë besimin që u kanë dhënë qytetarët shqiptarë”.

Duke folur në një takim mbi kodin e praktikave të mira të Komisionit të Venecias për cështjet zgjedhore ai shtoi se “Një rezultat i suksesshëm i reformës, i cili duhet pasuar nga një zbatim i plotë dhe i ndershëm i ligjit të ri zgjedhor, do të përbënte një kontribut të prekshëm në axhendën e reformave të vazhdueshme të Shqipërisë dhe në aspiratat e saj ndërkombëtare afatgjata”.

Demokratët dhe socialistët që drejtojnë së bashku komisionin kanë ngecur në dy momente kyce që lidhen me procedurat ankimore dhe rikompozimin e komisionit qëndror të zgjedhjeve. Në fundjavë në një editorial të tijin, kryetari socialist Edi Rama shkruante se “nuk mund të votohet një reformë që nuk garanton transparencën e zgjedhjeve dhe nuk ndryshon Komisionin qëndror të Zgjedhjeve”, duke sulmuar ashpër kryetarin Arben Ristani dhe duke akuzuar kryeministrin i cili sipas zotit Rama” në vend t’i hap rrugë kompromisit, është i gatshëm të sakrifikojë këtë prioritet kyc për afrimin e vendit me Bashkimin europian”.

Por sot kryeministri tha se nuk mund të ecet përpara duke kërkuar prerje kokash, ndërsa vlerësoi zotin Ristani: "Nuk është Arben Ristani që i bindi qytetarët e Tiranës, është Lulzim Basha, prandaj i them zotit Rama: mos u merr me kokat, të merren me ligjet, se Ristani është një nga personalitetet më të shquara dhe më të ekuilibruara të vendit". Zoti Berisha tha se shumica ka të gjithë vullnetin për të mbyllur në kohë reformën dhe se për këtë ai është i gatshëm edhe të takohet me zotin Rama: “Edhe për reformën unë jam i gatshëm që ta takoj zotin Rama, në qoftë se ka qoftë edhe dyshimin më të vogël tek qëndrimi i sinqertë i yni dhe vendosmëria jonë për ta zgjidhur problemin”.

Nga ana e tij zoti Ristani, i vënë në shenjestër të kritikave edhe për vendimin e javës së shkuar të Komisionit qëndror lidhur me referendumin kundër importit të plehrave tha se ai i është përmbajtur ligjeve: “Në mënyrë konseguente kemi zbatura ligjin gjatë gjithë punës sonë. Kriter vlerësimi ëhstë shteti ligjor dhe gjykatat në mënyrë të vazhdueshme kanë folur për punën e KQZ, ashtu sikurse ka folur edhe arbitri ndërkombëtar, Osbe dhe Odihr. Sa i përket zgjedhjeve të vitit të ardhshëm, mandati i këtij Komisioni mbaron në shkurt të 2013”.

Reforma zgjedhore është identifikuar si një nga 12 prioritetet që Shqipëria duhet të përmbushë për të marë statusin e vendit kandidat në Bashkimin europian. Djegia e afatit të 12 korrikut dhe mosmiratimi i saj brenda këtij sesioni parlamentar do të vinte seriozisht në diskutim përparimin e vendit drejt Brukselit.
XS
SM
MD
LG