Lidhje

OSBE: Mbroni të drejtat e personave me aftësi të kufizuara.


OSBE u bëri sot thirrje institucioneve shtetërore që të krijojnë kushte më të mira jetese për të rinjtë me aftësi të kufizuara si një provë se kështu respektojnë të drejtat njerëzore në Shqipëri. Përfaqësuesi i zyrës së OSBE-së në Tiranë, ambasadori Eugen Volfart, i bëri këto komente gjatë nja takimi me forumin e të rinjve me aftësi të kufizuara, ku tha që edhe pse dita e sotme ka zhvillime të rëndësishme politike, ai erdhi këtu për t’i dhënë rëndësinë e duhur nevojave të këtij komuniteti.



“Përfshirja e plotë në shoqëri e të rinjve me aftësi të kufizuara është një çështje e të drejtave të njeriut dhe e demokracisë. Mbështetja e tyre kërkon ndërtimin e një shoqërie të vërtetë demokratike, që respekton të drejtat e njeriut për të gjithë shtetasit” - tha ambasadori Volfart.

Ai theksoi se në jetën publike këta të rinj përballen me dy probleme kryesore: ata përballen me pengesa fizike që kufizojnë mundësitë e shkollimit, mjekimit shqëndetësor dhe punësimit dhe mospjesëmarrjen në institucione vendimarrëse. “Pjesëmarrja e tyre në jetën kulturore dhe politike është e kufizuar, dhe kërkon po ashtu zhvillimin e shoqërisë demokratike. Ata janë të rinj dhe duhen ndihmuar që të kujdesen për jetën e tyre sa më mirë” - tha ai.

Ambasadori Volfart tha se OSBE e ka në qendër të vëmendjes kujdesin për të rinjtë me aftësi të kufizuara dhe ka nxitur një dialog të vazhduesëhm mes shoqërisë civile dhe qeverisë për nevojat e tyre, që këta të rinj duhen mbështetur materialisht për nevojat e tyre dhe duhen ndihmuar të marrin pjesë në jetën publike.

Ndërsa drejtuesi i forumit të të rinjve me aftësi të kufizuara, Emiliano Lule, thotë se “ky organizim do t’u japë ndihmë ligjore dhe teknike çdo qytetari me aftësi të kufizuara që ka nevojë, në mënyrë që ata të kenë aftësi të pakufizuara në jetë”.

Në Shqipëri veprojnë disa shoqata të personave me aftësi të kufizuar, që grupojnë rreth 16 mijë të verbër, paraplegjikë dhe tetraplegjikë. Ata krijuan kohët e fundit edhe një bashkim mes tyre, dhe protestuan para parlamentit për të drejtat e tyre ekonomike e sociale.
XS
SM
MD
LG