Lidhje

OSBE, SHBA dhe BE kërkojnë mbrojtje dhe kujdes për romët e dhunuar


OSBE, SHBA dhe BE kërkojnë mbrojtje dhe kujdes për romët e dhunuar

OSBE, SHBA dhe BE kërkojnë mbrojtje dhe kujdes për romët e dhunuar

Ambasadorët e Shteteve të Bashkuara, OSBE dhe BE i bënë sot thirrje qeverisë shqiptare të hetojë dëbimin e familjeve rome nga vendbanimi i tyre dhe të ofrojë ndihmë sociale për këta të zhvendosur. Diplomatet perendimore u bënë thirrje autoriteteve që të kujdesen për pakicat rome, dhe të ndalojnë diskriminimin e tyre.

OSBE, SHBA dhe BE u bënë sot thirrje autoriteteve shqiptare që të hetojnë largimin me dhunë të familjeve rome nga vendbanimi i tyre pranë stacionit të trenit dhe t'u ofrojnë ndihmë të shpërngulurve. Në deklaratën e tyre të përbashkët tre ambasadorët e OSBE, SHBA dhe BE bashkohen me përfaqësuesit e shoqërisë civile në thirrjen për t'i dhënë fund diskriminimit dhe dhunës ndaj familjeve dhe fëmijëve romë. Diplomatët perëndimorë bënë të ditur se që prej 20 shkurtit e në vazhdim disa dhjetëra familje rome janë larguar me forcë nga vendqëndrimi i tyre pranë qendrës së Tiranës nga persona të paidentifikuar, të cilët u vunë zjarrin barakave ku ata jetonin dhe i përzunë. Sipas tyre, nga këto veprime pati lëndime të rënda dhe një numër i madh njerëzish, duke përfshirë edhe fëmijë, u detyruan të zhvendoseshin nga vendbanimi.

Në atë zonë punojnë disa organizata të vetë romëve, që kanë njoftuar menjëherë policinë, dhe tani po kërkojnë mbrojtjen e të shpërngulurve. Adriatik Hasantari, drejtues i organizatës “Roma Active Albania” thotë se grindja nisi për muzikën dhe këngët e një dasme rome, dhe banorët e tjerë u ankuan për nivelin e lartë të muzikës. Pastaj disa prindër dhe fëmijë romë u goditën dhe u kërcënuan nga disa persona të dhunshëm të panjohur, por më vonë romët treguan se para disa ditësh aty ishin parë gjeometër që matnin terrenin.

“Sipas organizatave që punojnë aty ishin 45 familje. Sipas dëshmitarëve që ne kemi, ishin mbi 60 familje. Këto u shpërngulën krejtësisht Brenda natës nga frika dhe terrori që ishte shkaktuar nga banorët aty afër, por ngjarja duhet të hetohet dhe të cohet më tej, sepse nuk është vetëm nga banorët. Disa nga ata, 15 familjet janë kthyer në Elbasan, të tjerta janë shpërndarë në rrethinat e Tiranës dhe të tjerë në Durrës dhe në Berat.” - thotë zoti Hasantari, i cili thekson se shumica nuk është aq tolerante dhe dashamirëse ndaj romëve dhe pakicave të tjera sa thuhet nga vendasit në media.

Në ministrinë e punës, çështjeve sociale dhe shanseve të barabarta thonë se po e ndjekin me shqetësim ngjarjen, e cila sipas tyre është një rast i vecuar. Denada Seferi, drejtore e politikave të shërbimeve sociale në ministrinë e punës, thotë se asnjëherë më parë dhe në asnjë qytet nuk kishte ndodhur që të dëboheshin romët. Sipas saj, problemi kryesor i tyre është se nuk pranojnë të regjistrohen në zyrat e gjendjes civile si banorë të regullt, që të përfitojnë nga gjithë sistemi shtetëror; ndihma, shkolla, strehim etj. ajo thotë se regjistrimi i popullsisë këtë vit është një shans i madh për ta dhe një rast i mirë për shtetin që të ndërhyjë në nevojat e tyre.

“Ne kërkuam prej komunitetit rom dhe prej shoqatave të tyre që të na japin një gjendje reale e këtyre familjeve dhe e fëmijëve të tyre. Dimë që gjendja shëndetësore e fëmijëve nuk është emergjencë e jashtëzakonshme, megjithatë ata kanë sëmundje të vështira si skabie etj. ndërhyrja shëndetësore duhet të jetë e menjëhershme. Jemi në pritje të vlerësimit dhe identifikimit të nevojave familjare dhe individuale të këtij komuniteti të shpërngulur. Në këtë moment menduam që shteti, së bashku me donatorët të krijojnë një fond emergjence për të ndërhyrë drejtpërdrejt në këto familje” - thotë zonja Seferi.

Diplomatët kujtuan se Komisioni Europian në Opinionin e tij për aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim, ka identifikuar luftën kundër diskriminimit dhe mbrojtjen e të drejtave të romëve si fusha parësore, të cilave u duhet kushtuar vëmendje e veçantë nga autoritetet”. Ambasadorët e OSBE-së, SHBA dhe BE u bënë thirrje autoriteteve përgjegjëse të ndërmarrin veprimet e duhura për hetimin e ngjarjes shqetësuese të shkurtit, dhe të japin siguri që veprime të tilla të mos përsëriten më. Diplomatët i nxitën autoritetet shqiptare që të marrin hapat e duhura për të siguruar asistencën e nevojshme sociale, përfshirë strehimin, për ata njerëz që kanë mbetur të pastrehë.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG