Lidhje

Polarizimi politik, mangësitë e kodit çuan në një proces të tejzgjatur zgjedhjesh në Shqipëri


Polarizimi politik, mangësitë e kodit çuan në një proces të tejzgjatur zgjedhjesh në Shqipëri
Polarizimi politik, mangësitë e kodit çuan në një proces të tejzgjatur zgjedhjesh në Shqipëri

OSBE/ODIHR-i pubikoi sot raportin përfundimtar për zgjedhjet lokale të 8 majit në Shqipëri. Në raport vihet në dukje.

Zgjedhjet lokale, thuhet në raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR-it, u zhvilluan në një mjedis politik që kishte arritur pikën e krizës pas përleshjeve të dhunshme midis protestuesve anti-qeveritarë dhe policisë më 21 janar.

Ndonëse zgjedhjet ishin transparente dhe konkuruese, ato ishin tepër të polarizuara, me mosbesim midis partive politike në pushtet dhe opozitës. Ashtu si edhe në zgjedhjet e mëparshme, thotë raporti, dy partitë më të mëdha nuk i kryen me përgjegjësi detyrat e tyre elektorale, duke ndikuar negativisht në administrimin e zgjedhjeve.

Mosmarrëveshjet e thella mbi baza partiake që u vunë re në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve gjatë fazës përgatitore, e dobësuan më tej aftësinë e tij për të qënë në gjendje të kapërcente më pas, në mënyrë kolegjiale dhe me efektshmëri, boshllëqet dhe paqartësitë që përmban Kodi Elektoral.

Kodi Zgjedhor për shembull, nuk shprehet konkretisht për vlefshmërinë e fletë-votimeve të hedhura në kutitë e gabuara. Kodi nuk i quan këto fletë-votime të pavlefshme, por as ofron ndonjë procedurë për numërimin e votave të hedhura gabimisht dhe për përfshirjen e tyre në rezultatin e zgjedhjeve. Kjo mangësi në kod, çoi në mosmarrëveshje serioze dhe në një proces të zgjatur apelimesh në Tiranë.

Vendimet shumë të debatueshme të KQZ-së pas zgjedhjeve lidhur me përcaktimin e rezultatit të garës në Tiranë, megjithëse pjesërisht u lanë në fuqi nga Kolegji Elektoral, e minuan më tej besueshmërinë ndaj KQZ-së, si një organ që po vepronte me paanësi dhe i pavarur.

Ditën e votimit, thuhet më tej në raportin e ODIHR-it, procesi shkoi relativisht mirë, megjithë problemet e mëdha që u vunë re në 10 përqind të qendrave të votimit lidhur me respektimin e ligjit.

Ndonëse procesi i numërimit u vlerësua përgjithësisht mirë, ai u zgjat shumë dhe në disa raste u shoqërua me vonesa të panevojshme dhe ndërhyrje nga partitë politike. Në disa qendra numërimi, procesi jo gjithmonë i qendroi besnik kërkesave proceduriale.

Shqyrtimi i ankesave dhe apelimeve në periudhën pas-zgjedhore nuk rezultoi në një trajtim të efektshëm në të gjitha rastet, megjithëse Kolegji Elektoral anuloi zgjedhjet në disa njësi për shkak të parregullsive. Për krahasim, apelimet gjatë periudhës para-zgjedhore, u zgjidhën në mënyrë të shpejtë, ç’ka rezultoi në një trajtim të efektshëm të tyre.

Disa nene të Kodit Elektoral, thuhet më tej në raportin e OSBE/ODIHR-it, bien ndesh me standartet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare. Veçanërisht e drejta e dy partive më të mëdha për të hequr secila nga një gjykatës nga ata që zgjidhen për të shqyrtuar një çështje të apeluar elektorale, praktikë kjo që minon pavarësinë e sistemit të drejtësisë.

Ndërsa në këto zgjedhje, duket se pati më pak raste abuzimesh të burimeve administrative se në të mëparshmet, gjithsesi u vunë re përpjekje të organizuara për t’u bërë trysni dhe frikësuar votuesit.

Megjithëse shtypi është i ndarë në linja partiake, pluraliteti dhe shumlë-llojshmëria e organeve të shtypit i lejuan votuesit të zgjedhin mes një sërë alternativash politike. Por, në kundërshtim me ligjin, thotë më tej raporti, shtypi elektronik, shpesh ishte i njëanshëm në mbulimin e fushatave dhe nuk u dha kohën e duhur partive më të vogla.

Pjesëmarrja e grave mbeti e ulët, pjesërisht për shkak të mosrespektimit nga partitë të kërkesave mbi gjininë në emërimet e kandidatëve për pushtetin vendor.

Megjithëse pati aspekte pozitive nga zgjedhjet, që shërbejnë si bazë për përparim në të ardhmen, thuhet në raport, përparimi do të varet nga vullneti i partive parlamentare për të kryer reformën elektorale.

OSBE/ODIHR-i sugjeron një numër rekomandimsh për përmirësimin e kodit elektoral në Shqipëri.

XS
SM
MD
LG