Lidhje

Kandidaturat e çmimeve Oscar


Kryeson në garën për statujën e artë filmi “Lincoln” me 12 kandidatura, i ndjekur nga filmi “Life of Pi” me 11 kandidatura

Në Hollywood u zhvillua ditën e enjte ceremonia e shpalljes së kandidaturave të çmimeve Oscar për filmat më të mirë të vitit 2012. Kryeson në garën për statujat e arta filmi “Lincoln” me 12 kandidatura, i ndjekur nga filmi “Life of Pi” i cili ka 11 kandidatura. Ceremonia e ndarjes së çmimeve Oscar do të zhvillohet në datën 24 shkurt në Hollywood.

Filmi “Lincoln” me 12 kandidatura, udhëheq garën në ceremoninë e 85-të të çmimeve Oscar që do të zhvillohet më 24 shkurt. Ky film është kandidat mes të tjerash për filmin më të mirë, aktorin kryesor Daniel Day Lewis, aktorët mbështetës Sally Field dhe Tommy Lee Jones si dhe regjisorin më të mirë Steven Spielberg.

Ceremonia e shpalljes së kandidaturave ditën e enjte ishte e papritur jo vetëm për faktin që u zhvillua përpara ceremonisë së Globit të Artë (një tjetër ceremoni prestigjoze kinematografike), por edhe për mesazhin e qartë se ndoshta filmi që ka më shumë mundësi për të fituar çmimin Oscar është pikërisht filmi “Lincoln”. Kjo sepse ai është kandidaturë si për aktorin kryesor, edhe për regjisorin më të mirë e filmin më të mirë. Zakonisht filmat që nuk kanë kandidat edhe regjisorin për çmimet e Akademisë, rrallë ndodh që të fitojnë statujën e artë për kategorinë e filmit më të mirë.

Filmi “Amour” i regjisorit Michael Haneke është saga e dashurisë për një çift në fund të jetës së tyre. Ky film ka katër kandidatura mes të cilëve edhe kandidatura për aktoren më të mirë, 85 vjeçaren Emmanuelle Riva. Ajo është aktorja më e moshur që kandidon për çmimin Oscar në historinë 85 vjeçare të ceremonisë këtyre çmimeve.

Në të njëjtën kategori është kandidate edhe aktorja me moshë më të vogël në historinë e çmimeve Oscar, 9 vjeçarja Quvenzhane Wallis, e cila interpreton në filmin “Beasts of the southern wild”, një film i cili flet për kurajon dhe forcën, parë nga sytë e një fëmije 6 vjeçar që përballet me botën i vetëm mbas vdekjes së të atit.

“Life of Pi” është filmi i cili ndjek filmin “Lincoln” me 11 kandidatura për çmime Oscar. Ai është një film, i cili e trajton në mënyrë fantastike historinë e një djali indian që mbete i vetëm në një varkë shpëtimi në oqean me një tigër nga Bengali.

“Silver Lining Playbook” është një film i cili mori katër kandidatura për çmimin Oscar. Ai trajton përpjekjet e një familjeje nga Filadefia , dhe birit të kësaj familje për t’u kuruar nga çrregullimi bipolar. Bradley Cooper është kandidat për aktorin më të mirë, Jennifer Lawrence është kandidate për aktoren më të mirë, Robert de Niro dhe Jacki Weaver janë kandidatura për rolin mbështetës.

Filmi “Django Unchained” me regjizor Quentin Tarantino është kandidaturë për filmin më të mirë. Ky film trajton temën e skllavërisë në perëndimin amerikan të shekullit të 19-të.

Filmi “Argo” me regji të Ben Afleck-ut, i cili është edhe aktor kryesor i tij është kandidat në 7 kategori. Ndonëse ka patur vlerësime të mira nga kritika, Ben Afleck nuk arriti të jetë kandidaturë për aktorin më të mirë.

Ky film trajton temën e lirimit të disa diplomatëve amerikanë gjatë krizës së pengjeve me Iranin në vitet 1980.

“Zero Dark Thirty” është një film i cili përpjekjet e një agjenteje të CIA-s për të kapur Osama Bin Laden-in. Aktorja Jessica Chastain interpreton rolin e Majës . Ajo është kandidaturë për aktoren më të mirë.

Filmi “Të mjerët”, një muzikal i ndërthurur me elementët kinematografikë, ka marrë mes të tjerash kandidaturat për aktorin më të mirë Hugh Jackman në rolin e Jean Valjean –it dhe për aktoren më të mirë Anne Hathaway, e cila interpreton Fantinën. Ky film është kandidaturë në 8 kategori.

Ceremonia e ndarjes së çmimeve Oscar zhvillohet në 24 shkurt në Hollywood.
XS
SM
MD
LG