Lidhje

Katër filma pretendentë për çmime Oskar

  • Penelope Poulou

Sonte ndahen çmimet Oskar, ceremonia vjetore më e pritur në industrinë e filmave. Rreth një miliard njerëz kudo në botë ndjekin aktivitetin plot yje hollivudianë. Katër nga 24 kategoritë e çmimeve Oskar, janë më të çmuarat: Regjisori më i Mirë, Aktori më i Mirë, Aktorja më e Mirë, dhe Filmi më i Mirë. Materiali në vazhdim na njeh me katër pretendentë të këtyre kategorive.

Duke zhytur publikun në tensionin e dy astronautëve të humbur në hapësirë, regjisori Alfonso Cuaron rriti standartin e teknologjisë 3D në kinematografi, me filmin Gravity. Rrjedhmëria e ngjarjeve nuk e lejojnë shikuesin të pushojë. Plot ankth, në ndjekim astronauten Ryan Stone në rrëzimin e saj të pafund.

Filmi është emëruar për 10 çmime Oskar, dhe me të drejtë. Me ndihmën e teknologjisë CGI, Gravity duket si dokumentar në ekran IMAX. Sandra Bullock, e cila luan rolin e astronautes Ryan Stone, thotë se ajo qarkulloi në hapësirë, pa u larguar nga planeti ynë.

“Çdo gjë që patë ishte filmuar ose në një kub, ose lidhur me 12 litarë, në mënyrë që unë të fluturoja dhe të kryeja lëvizjet si në hapësirë.”

“Kështu që, ishte shumë e vështirë për aktorët.”

Regjisori Alfonso Cuaron punoi 4 vjet e gjysëm për krijimin e këtij filmi. Ai është një pretendent kryesor për çmimin Regjisori më i Mirë, por mund të humbë çmimin Filmi më i Mirë për shkak të dialogut që lë për të dëshiruar, sidomos krahasuar me cilësinë e kinematografisë madhështore të filmit.

Konkurrenti më i rëndësishëm për Filmin më të Mirë është drama epike e regjisorit Steve McQueen 12 Years a Slave, rreth rrëmbimit të vërtetë të njeriut të lirë Solomon Northup, në jugun e Amerikës në shekullin e XIX-të. Ky film ka një kinematografi po aq të arritur, aktorë të talentuar dhe një histori që përfshin një periudhë 12 vjeçare. Pavarësisht kësaj shtrirjeje kohore, historia tregohet në mënyrë intime, tregon anën njerëzore të Northup-it, duke lejuar publikun të përjetojë vuajtjet e tij.

Kandidati për çmimin Aktori më i Mirë Chiwetel Ejiofor ofron një interpretim të arrirë në rolin e Northup-it, i cili beson se nëse ai reziston, mund të fitojë lirinë. Por Ejiofor përballet me aktorë të tjerë shumë të talentuar për çmimin Oskar, sidomos Matthew McConaughey, në rolin e tij si një inxhinier elektrik homofob nga Teksasi i cili sëmuret me SIDË në vitin 1985.

McConaughey humbi 18 kilogramë për këtë rol, dhe filloi të humbte edhe shikimin. Së bashku me transformimin fizik, ai u përball edhe me sfidën emocionale për të shfaqur morinë e ndjenjave të Woodroof-it.

“Shfaqja lloje të ndryshme zemërimit. Sepse ky personazh ka shumë zemërim përbrenda, një ndjenjë që na nxit të gjithëve.”

Kate Blanchett është kandidatja kryesore për çmimin Aktorja më e Mirë. Interpretimi i saj në filmin Blue Jasmine të Woody Allenit është mahnitës. Pasi bashkëshorti i saj i pasur financier arrestohet për mashtrim, Jasmine ngelet e varfër dhe detyrohet të jetojë me motrën e saj në San Francisko.

Nëse ajo fiton, do të jetë Oskari i dytë për Cate Blanchett, e cila ka fituar shumë lëvdata për interpretimin.
XS
SM
MD
LG