Lidhje

OSBE: Shqipëria më shumë dënime alternative

  • Ilirian Agolli

Aktualisht në Shqipëri janë mbi 4 mijë persona të dënuar që punojnë në komunitet.

OSBE u bëri sot thirrje autoriteteve shqiptare që të përdorin më shumë dënimet alternative për krimet e lehta për të shmangur mbipopullimin e burgjeve dhe përjashtimin social të të dënuarve. Drejtuesi i zyrës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Eugen Volfart, deklaroi sot se pushteti vendor dhe drejtësia shqiptare duhet të bashkëpunojnë më shumë për të gjetur hapësirat komunitare ku do të zbatohen dënimet alternative për disa mijëra të dënuar.

“Konventat ndërkombëtare që Shqipëria u angazhua të zbatojë rekomanduan një përdorim më të madh të dënimeve alternative, me qëllim që të evitohet mbipopullimi në burgje dhe të luftohet përjashtimi social bashkë me prolemet e tjera që sjell burgimi i panevojshëm” - tha ambasadori Volfart. Ai theksoi se Shqipëria po përmbush standartet ndërkombëtare të OSBE-së, duke reformuar sistemin e drejtësisë penale, duke rritur kapacitetet njerëzore dhe infrastrukturore për dënime alternative në komunitet.



Aktualisht në Shqipëri janë mbi 4 mijë persona të dënuar që punojnë në komunitet, ndërsa 3 vjet më parë ata do të ishin në burg. Ministri i drejtësisë, Eduard Halimi, tha në konferencë se Shqipëria po reformon sistemin e vet të drejtësisë, duke lënë pas konceptet e vjetra se të dënuarit duhet të mbyllen patjetër pas hekurave, me mure të larta dhe vuajtje, dhe po mendojë për rikthimin e tyre në shoqëri, qysh nga dita e parë e dënimit të tyre.

Zoti Halimi theksoi se “numri i dënuarve është 5 fishuar nga 2005, sepse sistemi gjyqësor po reagon tani më fort kundër krimit, por edhe sepse dënimet alternative po përdoren si mënyrë kryesore për riintegrimin e këtyre njerëzve në shoqëri”.

Sipas vëzhgimeve të OSBE-së, dënimet alternative po ndikojnë në uljen e kostos së burgjeve, edukimin dhe riintegrimin në shoqëri të personave me dënime të lehta, dhe tek siguria publike. Janë hapur 12 zyra rajonale dhe pritet të dyfishohen punonjësit socialë që ndjekin dënimet alternative në komunitet, ndërkohë që numri i rojeve në burgje do të ulet, nisur edhe nga fakti që mbrojtja e burgjeve po modernizohet. Politikat e reja të kopjuara nga modelet europiane që po zbatohen aktualisht në Shqipëri janë; sa më shumë dënime alternative, sa më shumë punonjës socialë dhe sa më pak gardianë në burgje, pohojnë ekspertët.
XS
SM
MD
LG