Lidhje

OSBE-ja kërkon zbatimin e marrëveshjeve Kosovë- Serbi


Lamberto Zannier - foto nga arkivi
Lamberto Zannier - foto nga arkivi

Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, Lamberto Zannier, bëri thirrje të premten në Prishtinë për vazhdimin e procesit te normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve.

Ai tha se ky çelësi për përparimin dhe qëndrueshmërinë e rajonit.

Zoti Zannier gjatë një vizite në Kosovë, është takuar me udhëheqësit e institucioneve vendase e ndërkombëtare dhe partive politike, një ditë pasi që parlamenti i Kosovës miratoi një rezolutë për pezullimin e bisedimeve më Serbinë, deri në lirimin e ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj që po mbahet në Francë, në bazë të një urdhër arresti serb.

Një komunikatë të misionit të OSBE-së, ai citohet të ketë thënë se "udhëheqësit duhet të mbeten të përkushtuar në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe në procesin e bisedimeve të lehtësuara nga Bashkimi Evropian me energji të re. Jam takuar me udhëheqësit e qeverisë dhe opozitës, i inkurajova ata që të mbajnë një qasje konstruktive në mënyrë që të shmanget përhapja e tensioneve", ka thënë ai.

Zoti Zannier, i cili ka shërbyer më herët në Kosovë si shef i Misionit të Kombeve të Bashkuara, ka bërë thirrje për dialog të mëtutjeshëm në mes të të gjitha palëve të përfaqësuara në parlamentin e Kosovës për siç thuhet, zgjidhjen e sfidave politike për të mirën e të gjithë qytetarëve në Kosovë.

"Dialogu në mes të përfaqësuesve të të gjitha partive politike duhet të bëhet në parlament pa frikësim dhe dhunë. Është përgjegjësi e anëtarëve të parlamentit, si zyrtarë të zgjedhur për të përfaqësuar interesat e elektoratit të tyre në mënyrën më të mirë të mundshme me anë të diskutimeve aktive dhe demokratike", citohet të ketë ai.

Zoti Zannier përshëndeti edhe nismën e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për të themeluar Komisionin e së vërtetës dhe pajtimit, si një mekanizëm për të trajtuar çështjet e së kaluarës dhe për të ndërtuar të ardhmen.

XS
SM
MD
LG