Lidhje

OSBE: Të zgjidhen problemet e reformës zgjedhore


Në Shqipëri ambasadori i Osbe-së në Tiranë Eugen Wolfarth tha sot se çështjet e mbetura pezull të reformës zgjedhore konsiderohen si tejet politike nga palët e si të tilla duhet të zgjidhen në nivelet e larta politike.

Ambasadori Wolfarth i bëri komentet pas një takimi me kryetarin socialist Edi Rama, pak ditë para përfundimit të mandatit të ri që iu dha komisionit parlamentar të reformës zgjedhore.

Palët ende nuk po gjejnë një zgjidhje për procedurat ankimore dhe verifikimin e dokumentacionit zgjedhor si dhe për rikompozimin e Komisionit qëndror të zgjedhjeve, i kërkuar me forcë nga socialistët. Ambasadori Wolfarth iu shmang komenteve rreth kërkesës së opozitës por u shpreh se “mandati i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve mbaron para zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme dhe ky është momenti për një zgjidhje që sheh nga e ardhmja, që mund të përfshijë edhe atë element”, tha ai.

Sipas ambasadorit të Osbe-së “është shumë e rëndësishme që të ekzistojë një besim i plotë në organin e quajtur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve” ndërsa vuri theksin edhe tek aspekti i transparencës që duhet ofruar përgjatë gjithë procesit në mënyrë që zgjedhësit - siç tha ai - të kenë besim se vota e tyre do të numërohet në mënyrë korrekte dhe se ajo ka vlerë”.

Kryeministri Berisha ka ftuar opozitën që të mbyllin reformën brenda afatit të 12 korrikut, por socialistët janë shprehur se nuk mund të ofrojnë konsensus pa rikompozimin e KQZ dhe zgjidhjen e çështjes së verifikimit të dokumentacionit zgjedhor.


XS
SM
MD
LG