Lidhje

Opozita akuzon OSHEE për abuzime financiare


Operatori i Shpërndarjes së Energjisë elektrike ishte sërish sot në qendër të kritikave të opozitës pas dyshimeve për korrupsion në tendera për instalimin e 50 mijë matësave të energjisë elektrike.

Një zëdhënëse e Partisë Demokratike deklaroi sot se OSHEE ka financuar këtë tender 6 herë më shumë se sa çmimet e tregut, nga afro 1 milionë usd në 7 milionë usd.

Sipas PD, skandali i këtij tenderi thellohet edhe më shumë, kur vendosjen e matësave po e bëjnë vetë punonjësit e OSHEE-së, që e kanë për detyrë.

Pra, punonjësit e OSHEE publike instalojnë matësat pas një tenderi të fituar nga privatë 6 herë më shtrenjtë se sa kostoja e tregut.

Opozita denoncoi edhe marrjen e makinave me qera afro 60 mijë euro çdo vit tek i njëjti koncensionar, si dhe trainimi i punonjësve tek i njëjti operator me 100 mijë dollarë çdo muaj.

Krahas denoncimit të korrupsionit, PD po premton edhe uljen e çmimit të energjisë elektrike.

Por OSHEE i hodhi poshtë si të pavërteta akuzat për korrupsion dhe mbifaturime në dëm të qytetarëve, duke folur për përmirësimin e situatës energjitike të vendit si dhe financave të kompanisë.

Drejtues të Operatorit deklaruan se shpenzimet administrative janë minimale dhe pjesa dërrmuese e fondeve po investohen për fuqizimin e rrjetit të dëmtuar me linja dhe kabina tërësisht të reja.

Sipas tyre, humbjet e energjisë u pakësuan më tej, ndërsa arkëtimet u shtuan dhe afro 70 milionë dollarë të kursyera u riinvestuan në sistemin e vjetëruar elektrik.

Pagesa e faturave u shtua nga 66% në 87%.

Zbulimi i konsumatorëve që merrnin energjinë në mënyrë të paligjshme dhe faturimi korrekt i tyre solli uljen e konsumit të energjisë elektrike.

Ankesat për mbifaturimin e energjisë elektrike kanë mbizotëruar në lajmet e bashkësive qytetare, të cilat pretendojnë se nuk kanë harxhuar ato shuma, por është OSHEE që u kërkon më shumë se harxhimi i tyre.

Në degët e OSHEE nëpër shumë qytete qindra qytetarë po ankohen për këto pasaktësi në fatura që u rëndojnë gjendjen e vështirë ekonomike.

Vitin e kaluar OSHEE trajtoi 38 mijë ankesa të tilla. Por vetëm një e treta i takojnë faturave të vitit 2015.

pjesa tjetër janë nga 2007-2014. OSHEE deklaroi se i është dhënë zgjidhje 95% të ankesave dhe vetëm 0,1 për qind e tyre u takojnë mbifaturimeve.

OSHEE deklaroi se po ndëshkon punpnjësit që mbifaturojnë qytetatët, por u kërkoi këtyre që të paguajnë faturat dhe të mos dëgjojnë partitë që u bëjnë thirrje antiligjore për refuzim të pagesave të energjisë elektrike.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG