Lidhje

Dokumentari për fëmijët ruandezë konkuron për Oskar


Filmi Open Heart, Zemra e Hapur, është rreth tetë fëmijëve me sëmundje reumatike të zemrës që udhëtojnë nga Ruanda në Sudan, për të kryer operacion kirurgjik jetik në zemër. Ky dokumentar i shkurtër konkurron për çmim Oskar dhe regjisor i tij Kief Davidson shpreson se filmi do të shtojë ndërgjegjësimin lidhur me problemin e shëndetësisë në Afrikë.

Filmi përqëndrohet tek kardiologu nga Ruanda Emmanuel Rusingiza, ndërsa ai lufton për të shpëtuar jetën e pacientëve të vegjël, disa prej të cilëve mund të kenë vetëm pak muaj për të jetuar. Udhëtimi drejt një spitali në Sudan, i drejtuar nga një organizatë bamirëse italiane, ofron shpresë për tetë fëmijët. Valvulat e zemrës së tyre janë dëmtuar nga ethet reumatike akute. Regjisori Kief Davidson tregon historinë nga këndvështrimi i fëmijëve dhe familjeve të tyre.

"Mendoj se çdokush, sidomos ata që kanë fëmijë, mund ta imagjinojmë se si duhet të jenë ndjerë ato familje".

Prindërit duhet të qëndronin në Ruanda dhe nuk e dinin nëse fëmijët e tyre do të mbijetonin apo nëse nuk do të shihnin përsëri. Ishte mjeku Rusingiza që shoqëroi fëmijët gjatë udhëtimit të tyre.

Këta fëmijë vuajnë nga sëmundje reumatike të zemrës, të shkaktuara nga infektimi i fytit i patrajtuar, që dëmton valvulat e zemrës. Ky problem dikur ishte i zakonshëm dhe në Shtetet e Bashkuara, por tani është i rrallë, thotë zoti Davidson.

"Është diçka kaq e thjeshtë saqë mund të trajtohet qoftë edhe vetëm me antibiotikë".

Ai thotë se historia e këtyre fëmijëve po tërheq vëmendje tani që filmi konkurron për Oskar.

"Dhe nëse nxit diskutimet mbi këtë temë, që them se do të ndodhë, ndryshimi është i mundshëm".

Sëmundjet reumatike të zemrës prekin më shumë se 15 milionë njerëz në mbarë botën. Zyrtarët e shëndetësisë thonë se shpërndarja më e mirë e antibiotikëve dhe e mjeteve diagnostikuese mund të shpëtojë miliona fëmijë në Afrikë dhe në pjesë të tjera të vendeve në zhvillim.

XS
SM
MD
LG