Lidhje

Një shërbim i ri mund të revolucionarizojë postën


outbox
outbox
Në Shtetet e Bashkuara, kutia postare mbushet thuajse çdo ditë me letra, një pjesë e të cilave janë të panevojshme. Për shumë njerëz është bezdi të bëjnë seleksionimin mes letrave të vërteta dhe atyre reklama. Por me sa duket po vjen dita kur njerëzve nuk do t'u duhet të merren me letrat e panevojshme. Një kompani amerikane premton që në vend të postës, t’i kthejë letrat në format elektronik dhe t’i dërgojë në telefonat celularë ose tableta si iPadi.

Nëse je ndër ata që mendojnë se jeta jote është e dominuar nga posta dhe veçanërisht ato që vijnë në formë reklame, zgjidhja mund të jetë shumë pranë.

Denis Gonzales duket si një postier i thjeshtë, por ai bën diçka tjetër. Ai e quan veten anti-postier sepse përshkon lagjen e tij të San Franciscos duke mbledhur postën që u është shpërndarë më parë familjeve.

Këta klientë kanë arritur në përfundimin se nuk duan të marrin postë fare. Ata paguajnë tani një kompani të quajtur Outbox që të mbledhë letrat e padëshiruara dhe t’i dixhitalizojë. Kjo do të thotë që klientët e Outbox mund ta shohin gjithë postën e tyre në telefona dhe kompjutera. Ja ç’thotë Gonzales:

“Njerëzit vërtet i tërheq ideja që të mund të kenë qasje elektronike tek posta. Është një mënyrë e re komunikimi dhe pa dyshim që ka shumë interes”.

Mund të duket sikur është dublim shërbimesh por klientela nuk mungon. Për një pagesë prej pesë dollarësh në muaj, njerëzit mund të shohin postën e tyre në kompjutera ose celularë, të kërkojnë anulimin e abonimit për letra të panevojshme dhe të kërkojnë që t’u postohen vetëm letrat dhe pakot që u duhen.

Që nga muaji shkurt kur në San Francisco filloi të funksionojë ky shërbim, postieri me bluzë të kuqe i Outbox-it dhe makina e tij me një flamur të kuq ka tërhequr vëmendjen. Gonzalesit i janë besuar të gjitha çelsat e kutive postare. Ka shërbime që ofrojnë të ndajnë postën e njerëzve që jetojnë në një shtëpi por që thjesht ndajnë qeranë.

Këto shërbime duan punë dhe janë të shtrenjta, por Outbox i ka planet afatgjata, me synimin që në të ardhmen gjithë posta e klientëve të shkojë në zyrat e tyre si edhe të inkurajojë bizneset që ta dërgojnë postën në mënyrë elektronike përmes faqes së kompanisë.

Bashkëthemeluesi dhe Presidenti i kompanisë Outbox është Will Davis, një i diplomuar i universitetit të Harvardit. Ai beson se një zgjidhje elektronike i përshtatet më mirë jetesës moderne.

“Nuk është se njerëzve nuk u pëlqen posta, atyre thjesht nuk u pëlqejnë aspektet e saj negative që nuk shkojnë me jetën e përditshme. Fakt është se ata nuk e shikojnë dot postën kur të duan, nuk mund ta anulojnë dot postën, nuk u përgjigjen dot letrave në celular, apo nuk kanë mundësi ta bëjnë në mënyrë elektronike. Ne i heqim aspektet negative postës dhe e bëjmë atë një shërbim të shekullit të 21-të”.

Outbox ka përballë një konkurrent gjigant. Shërbimi postar amerikan është themeluar në vitin 1775 me detyrën që të krijojë mundësinë për një komunikim të mirë dhe me çmim të përballueshëm.

Në vitin 1828, posta u përhap në të gjithë vendin dhe pullat e para u shitën në vitin 1847. Posta e shpërndarë me avion filloi pas Luftës së Parë Botërore në vitin 1918.

Sistemi tradicional i postës, nuk do të zhduket menjëherë dhe megjithëse Outbox është kompani ambicioze, nuk është ende një konkurrente kombëtare.
XS
SM
MD
LG