Lidhje

Operacionet parandaluese shmangin kancerin në gji dhe në vezore


Operacionet parandaluese shmangin kancerin në gji dhe në vezore
Operacionet parandaluese shmangin kancerin në gji dhe në vezore

Çdo vit, një milion gra në të gjithë botën diagnostikohen me kancer në gji, dhe rreth 200 mijë të tjera me kancer në vezore. Zgjedhja e trajtimit mjekësor bëhet më e vështirë kur gratë kanë mutacione gjenetike të njohura si BRCA1 dhe 2, të cilat mund të rrisin rrezikun e llojeve të tjera të kancerit në qafën e mitrës, mitër, pankreas etj. Një studim i kohëve të fundit tregon se gratë që bëjnë operacione parandaluese zvogëlojnë rrezikun e kancerit në gji dhe në vezore.

Sandra Kohen nuk ka qenë e sëmurë me kancer në gji apo në vezore; megjithatë ajo ka bërë operacion për të hequr gjirin dhe vezoret. Ajo vendosi të hynte në operacion, pasi gjyshja dhe nëna e saj vdiqën nga këto lloje kanceri.

“Është si të jesh duke pritur bombën të shpërthejë dhe kancerin të shfaqet, dhe kjo ndikon tek gjendja mendore e njeriut në jetën e përditshme.”

Doktorët e kanë ditur prej kohësh se operacionet parandaluese zvogëlojnë rrezikun e kancerit në gji dhe në vezore për gratë si zonja Kohen, të cilat kanë mutacionet BRCA1 apo BRCA2.

Por një studim i fundit tregon gjithashtu se këto operacione i ndihmojnë pacientët të jetojnë më gjatë.

Doktor Suzan Domhek në Fakultetin Mjekësor të Universitetit të Pensilvanisë është bashkautore e studimit 4-vjeçar me rreth 2 mijë e 500 gra që kanë mutacionet gjenetike BRCA1 dhe BRCA2.

“Gratë që hoqën vezoret patën një zvogëlim të rrezikut për kancer në gji, për kancer në vezore, dhe si rezultat kishin më pak rrezik të vdisnin nga këto lloje kanceri, dhe më shumë shanse për të jetuar.”

Asnjë nga gratë që hoqën gjirin nuk u sëmur me kancer në gji. Shtatë për qind e atyre që nuk pranuan të bënin operacion u diagnostikuan më vonë me këtë sëmundje.

Ritmet e kancerit në gji tek gratë që hoqën vezoret ishim më të vogla se sa tek ato që nuk bënë operacion.

Studimi tregon se gratë që hoqën vezoret zvogëluan shumë rrezikun e vdekjes nga kanceri në vezore me rreth 80 për qind dhe nga kanceri në gji me rreth 56 për qind.

“Ne arritëm në përfundimin se heqja e vezoreve është pozitive për gratë me mutacionet BRCA1 dhe BRCA2.”

Shkencëtarët arritën në përfundimin se gratë që kanë njerëz të afërm me kancer në gji apo në vezore duhet të inkurajohen të bëjnë kontrollet gjenetike.

Sandra Kohen e ka bërë vetë këtë kontroll dhe këshillon edhe të tjerët që kanë histori të ngjashme.

“Fol me një konsulent gjenetik. Takohu me gra të tjera që e kanë kaluar këtë proces. Kjo mund të të ndihmojë të vendosësh për hapat që dë të marësh.”

Studimi është publikuar në Revistën e Shoqatës Mjekësore Amerikane.

XS
SM
MD
LG