Lidhje

Traktati i OKB-së për armët


Pesëdhjetë senatorë amerikanë, gjysma e anëtarëve të Senatit, thonë se nuk do ta ratifikojnë Traktatin e Kombeve të Bashkuara për Tregtinë e Armëve, të nënshkruar nga Shtetet e Bashkuara. Në vijim një analizë e përmbajtjes së traktatit dhe shanset e miratimit të tij nga Senati amerikan.

Traktati me fuqi detyruese zbatimi vendos standarde ndërkombëtare për importin, eksportin dhe transferimin e armëve konvencionale, nga tanket dhe helikopterët e sulmit tek armët e vogla dhe të lehta.

Kryetarja e grupit humanitar Oxfam për kontrollin e armëve, Ann MacDonald, thotë se traktati mbulon gjithashtu edhe municionin.

“Municioni është i rëndësishëm sepse armët qarkullohen dhe kjo është parë veçanërisht në konfliktet në Afrikë. Pa municion ato janë shumë më pak vdekjeprurëse. Ne kemi parë në disa konflikte se furnizimi me municion është ai që ruan vazhdimësinë e konfliktit”.

Traktati për Tegtinë e Armëve u miratua nga Kombet e Bashkuara në muajin prill me 154 vota pro, 3 kundër dhe 23 abstenime. Vetëm Irani, Koreja e Veriut dhe Siria votuan kundër paktit.

Daryl Kimball, kryetar i Shoqatës për Kontrollin e Armëve, një firmë private kërkimesh, thotë se synimi i traktatit është korrektimi i shumë problemeve në sistemin ndërkombëtar regullator të tregtisë së armëve konvencionale.

“Shumë vende nuk kan kontroll mbi eksportet. Shumë të tjera që kanë ligje, nuk janë të afta për t’i zbatuar. Për më tepër, tregtia ilegale e armëve vazhdon duke u shpëtuar sestemeve të kontrollit të qeverive kombëtare. Prandaj traktati është i nevojshëm për vendosjen e standardeve ndërkombëtare për të gjitha shtetet, në mënyrë që furnizuesit e armëve dhe blerësit e tyre të mos shfrytëzojnë mangësitë e ligjeve”.

Ann MacDonald e Oxfam-it thotë se traktati përmban një klauzolë për të drejtat e njeriut.

“Për herë të parë, ai krijon një sistem global që kërkon nga qeveritë të vlerësojnë çdo transfertë armësh që del nga vendi, hyn në vendin e tyre apo kalon nëpërmjet tij. Ato duhet ta vlerësojnë trasfertën në raport me rrezikun që përbëjnë armët për shkeljen e të drejtave të njeriut dhe ligjit humanitar. Nëqoftëse këto rreziqe janë të mëdha, qeverisë duhet të ndalojnë transfertën e armëve”.

Më shunë se 110 vende, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara, kanë nënshkruar traktatin që nga nënshkrimi i tij në muajin qershor. Por vetëm shtatë vende e kanë ratifikuar atë.

Në Shtetet e Bashkuara, grupi i fuqishëm lobist, Shoqata Kombëtare e Armëve, e ka kundërshtuar traktatin, po ashtu edhe gjysma e Senatit amerikan prej 100 anëtarësh. Që traktati të ratifikohet, 67 sanatorë duhet të votojnë pro tij.

Kundërshtarët argumentojnë se Traktati për Tregtinë e Armëve ndërhyn në të drejtat e amerikanëve për të mbajtur armë, të garantuara nga Amendamenti i Dytë i Kushtetutës amerikane, pjesë e Billit të të Drejtave që garanton liritë individuale.
Por Ann MacDonald thotë se traktati ka të bëjë vetëm me tregtinë globale të armëve.

“Ai nuk ka të bëjë me kontrollin e brendshëm të armëve. Ky është një mesazh i fuqishëm për senatorët që të dëgjojnë, sepse në disa raste qarkullon informacion i gabuar lidhur me ndikimin e këtij traktati në çështjen e armëmbajtjes në vend. Ky traktat nuk ka të bëjë me kontrollin e armëve në vend, ka të bëjë me transfertat ndërkombëtare. Shtetet e Bashkuara nuk kanë pse të ndryshojnë ligjet ekzistuese në Shtetet e Bashkuara për zbatimin e këtij traktati. Në fakt, ligjet amerikane janë në përputhje me Traktatin e Tregtisë së Armëve në shumë drejtime”.

Daryl Kimball thotë se në analizë të fundit, miratimi nga Shtetet e Bashkuara i traktatit nuk është me rëndësi parësore.

“Ky traktat duhet ratifikuar. Por ratifikimi nga Shtetet e Bashkuara nuk është esencial apo i domosdoshëm që ai të zbatohet. Ai duhet miratuar vetëm nga 50 vende që të hyjë në fuqi”.

Shumë analsitë thotë se mbështetësit e traktatit do të kenë përpara një betejë të ashpër për t’i bindur senatorët që të votojnë për ratifikin e traktatit.
XS
SM
MD
LG