Lidhje

Përvjetori i revoltave të ish-të dënuarve politikë


Organizata të ish- të burgosurve politikë kujtoi sot në Tiranë përvjetorin e revoltave në burgjet famëkeqe të Qafë Barit dhe të Spaçit. Ish të burgosurit politikë nderuan të pushkatuarit e këtyre revoltave, në një tubim, ku u theksua se diktatura komuniste nuk duhet harruar.
Shoqata e ish të burgosurve politikë përkujtoi sot 30 vjetorin e revoltës së të dënuarve politikë në burgun e Qafë Barit dhe 41 vjetorin e revoltës së të dënuarve politikë në burgun e Spaçit. Të dyja revoltat shpërhtyen për shkak të trajtimit çnjerëzor nga diktatura komuniste, ndërsa të burgosurit thirrën “Rroftë Europa e Lirë!”, “Poshtë komunizmi!”, “Ja vdekje, ja liri!”.

Në revoltën e Qafë Barit u ekzekutuan të burgosurit politikë Sokol Sokoli, Tom Ndoja, vdiq në tortura Sandër Sokoli, ndërsa dhjetëra të tjerë u torturuan dhe u ridënuan në mënyrën më çnjerëzore. E njëjta gjë ndodhi edhe me shtypjen e revoltës të të burgosurve politikë të Spaçit.
Drejtuesi i shoqatës së ish- të dënuarve politikë, Simon Miraka thotë që, pavarësisht se vendi zhvillohet dhe kohët ndryshojnë, diktatura nuk duhet harruar, se në këto revolta e ka burimin liria e Shqipërisë, e cila nuk mund të forcohet nëse nuk kujtohet dhuna komuniste.
Artisti i njohur Sherif Merdani ka qenë një nga pjesëtarët e revoltës së Qafë Barit. Ai u bëri thirrje ish të dënuarve politikë, që nën shembullin e revoltave të shokëve të tyre, të kenë më shumë unitet dhe bashkëpunim midis tyre. Zoti Merdani tha se ish të burgosurit politikë presin prej 20 vitesh në demokraci shpërblimet për burgimin e padrejtë që bënë në diktaturë, por dinjiteti njerëzor është mbi të gjitha.
Revolta e të burgosurve politikë në burgun e Spaçit në vitin 1973 dhe revolta e të burgosurve politikë të burgut në Qafë Bari më 1984 janë dy nga kryengritjet më të rëndësishme antikomuniste gjatë gjysëm shekulli të diktaturës komuniste. Pushkatimet e protagonistëve në këto dy revolta janë vetëm një pjesë e vogël e mbi 4 mijë e 200 pushkatuarve me gjyq dhe pa gjyq nga regjimi komunist të kundërshtarëve të tij politik.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG