Lidhje

Carter mbi pabarazinë gjinore në botë

  • Kane Farabaugh

Një raport i Departamentit amerikan të Shtetit për vitin 2013 mbi trafikimin e qenieve njerëzore thotë se ka rreth 26 milion njerëz në botë të cilët janë viktima të skllavërisë moderne, dhe shumica e tyre janë vajza të reja. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Kane Farabaugh bisedoi me ish-presidentin amerikan Jimmy Carter rreth problemit, i cili është trajtuar edhe në librin e tij më të fundit A Call to Action – Thirrje për Veprim.

Zoti Carter e quan abuzimin dhe neglizhimin e grave shkeljen më të rëndë të të drejtave të njeriut në botë.

“Problemi më serioz është vrasja e foshnjeve vajza nga prindërit e tyre, aborti i një fetusi nëse prindërit mësojnë se do të jetë vajzë.”

Mbase nuk ka vend ku ky problem është më i dukshëm se sa India, thotë ish-presidenti Carter.

“Nepali është origjina e pjesës më të madhe të skllavërisë së grave që shkon në Indi. India ka një mungesë të madhe grash, dhe jo vetëm për bashkëshorte, por edhe për prostitucion.”

Profesorja e juridikut në Universitetin e Çikagos Sital Kalantry thotë se pabarazia fillon që nga përdorimi i teknologjisë që ndihmon gjatë shtatzanisë:

“Gjatë viteve ’80, teknologjia ultrazanore arriti popullaritet në Indi, gjë që lejoi njerëzit të zbulojnë gjininë e fetusit. Për shkak të pozitës së grave në shoqëri dhe idesë se gratë janë barrë ekonomike, shumë njerëz zgjodhën të abortonin fetuset vajza. Dhe tani, rreth njëzet vjet më vonë, në disa rajone të Indisë numri i grave është rreth 15-20 për qind më i ulët në krahasim me meshkujt. Pra, ka një numër të madh meshkujsh që nuk do të martohen kurrë në Indi, kështu që shpesh jo vetëm që do të shohësh trafikim, por edhe nuse të sjella nga vende të tjera si Nepali.”

President Jimmy Carter:
“I thonë prindërve të një vajze, ‘pse nuk na lini t’jua marrim vajzën? Do t’i mësojmë si të bëhet mësuese, kozmetologe ose infermiere. Do të sigurohemi që t’ju sjellë një të katërtën e rrogës së saj për të mbështetur familjen tuaj të varfër.’ Prindërit mendojnë se po i bëjnë nder vajzës. Që natën e parë ajo bie në dorë të trafikantëve, të cilët e drogojnë dhe e përdhunojnë. E përulin atë.”

Zonja Kalantry thotë se qeveria e Indisë është përpjekur t’i kundërpërgjigjet problemit duke frenuar përdorimin e teknologjisë ultrazanore dhe aborteve, por kërkesa e vazhdueshme ka krijuar një treg të zi:

“Këto janë ende gjerësisht në qarkullim dhe mjekët ose teknikët mjekësorë përfitojnë nga kryerja e testeve të përcaktimit të gjinisë.”

Zoti Carter dhe zonja Kalantry thonë se për të ndryshuar prirjen dhe balancuar gjinitë, çdo shoqërie i nevojitet një qasje afatgjatë që përfshin ndryshimin e perceptimit tek gratë:

“Kjo do të zgjidhet vërtet vetëm kur t’u japim grave më shumë mundësi në shoqëri. Kur gratë të vlerësohen, kur arsimimi i tyre të vlerësohet, kur pavarësia ekonomike të vlerësohet dhe kur ato të mos shihen si barrë ekonomike.”

Llogaritet se në Indi ka 7 milion më pak vajza se sa djem nën moshën gjashtë vjeçare, një statistikë e cila thekson nevojën për të arsimuar dhe nxitur rolin e grave dhe barazinë gjinore.
XS
SM
MD
LG