Lidhje

Pakënaqësi për gjendjen e sigurisë në veriun e Kosovës


Pakënaqësi për gjendjen e sigurisë në veriun e Kosovës
Pakënaqësi për gjendjen e sigurisë në veriun e Kosovës

Qeveria e Kosovës e ka vlerësuar të brishtë por të qëndrueshme gjendjen e sigurisë në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe ndërkohë që disa deputetë janë shprehur me tone kritike.

Komentet u bënë gjatë një debati në Parlamentin e Kosovës mbi sigurinë dhe sundimin e ligjit në Kosovë.

Deputeti i Partisë Demokratike Nait Hasani, që ishte edhe nismëtar i këtij debati, kritikoi institucionet e vendit për mungesë veprimesh për të ndryshuar situatën.

Ai ishte kritik posaçërisht ndaj Misionit të Bashkimit Evropian për policinë dhe drejtësinë, i cili sipas tij përdor standarde të dyfishta, duke toleruar krimin në veri, ndërsa ndjek për krime pjesëtarët e ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kritikë ndaj veprimeve të institucioneve të vendit e posaçërisht të EULEX-it, janë shprehur edhe deputetët e partive opozitare por edhe të partive në pushtet.

Zyrtarë të EULEX-it i thanë Zërit të Amerikës se debatet parlamentare janë pjesë e çdo demokracie. Ata thanë se EULEX-i është i pranishëm në gjithë Kosovën, përfshirë edhe pjesën veriore dhe se po e zbaton mandatin e tij.

Që nga rihapja e Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë, janë shqiptuar më se 34 aktgjykime nga gjykatësit e EULEX-it dhe ky mision thotë se synon që gjykatësit dhe prokurorët vendorë të kthehen sa më shpejt që të jetë e mundur.

Aktualisht doganierët e EULEX-it janë të pranishëm në vendkalimet kufitare në veri dhe kjo duket se ka ndikuar që të ketë pakësim të dukshëm të kontrabandës në këtë pjesë të Kosovës.

Mandati i EULEX-it, thuhet në deklaratën e këtij misioni, është të mbështesë institucionet vendase që merren me sundim të ligjit. Pjesëtarët e EULEX-it, thuhet aty, punojnë brenda institucioneve të Kosovës, përfshirë gjykatat, prokuroritë, policinë dhe doganat dhe ky mision do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me institucionet e vendit.

XS
SM
MD
LG